Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka zhvilluar takim me Kryeprokurorin e Shtetit, Zejnulla Gashi, ku është diskutuar për forcimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtje të interesave ekonomike dhe financiare të Kosovës.

Gjatë takimit, Llugaliu e ka uruar Gashin për marrjen e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Doganës së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit ekonomik e financiar.


Në fokus të diskutimeve ka qenë intensifikimi i koordinimit institucional për parandalimin, zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale, veçanërisht atyre që lidhen me kontrabandën, evazionin fiskal, ekonominë joformale dhe veprimtari të tjera që dëmtojnë të hyrat publike dhe konkurrencën e drejtë në treg.

Llugaliu ka vlerësuar se bashkëpunimi efektiv ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit është i rëndësishëm për rritjen e efikasitetit në luftën kundër kriminalitetit ekonomik dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të drejtë për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike.

Sipas njoftimit, gjatë takimit palët janë dakorduar për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe për ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore të institucioneve përkatëse.

Bashkëpunimi ndërmjet Doganës së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit synon rritjen e efikasitetit në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit ekonomik, mbrojtjen e të hyrave publike dhe forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në Kosovë.