LAJMI I FUNDIT:

Deficit rekord në Rusi – sanksionet zbritën në 46 për qind të ardhurat nga nafta dhe gazi

Deficit rekord në Rusi – sanksionet zbritën në 46 për qind të ardhurat nga nafta dhe gazi

Pasojat nga sanksionet e vendeve perëndimore të vendosura ndaj Kremlinit për luftën në Ukrainë, kanë filluar të kenë ndikim në tablonë fiskale të Rusisë pasi të ardhurat e saj vazhdojnë të bien dhe shpenzimet e mbrojtjes rriten, duke zgjeruar deficitin buxhetor.

Në janar, Rusia regjistroi një deficit fiskal prej 25 miliardë dollarësh, që ishte më e larta për muajin e dhënë që nga viti 1998. Arsyeja është, natyrisht, rënia e të ardhurave të Moskës nga eksportet e naftës dhe gazit natyror.


Të ardhurat nga nafta dhe gazi ranë me 46 për qind krahasuar me janarin e kaluar. Ndërkohë, gjatë të njëjtës periudhë shpenzimet publike u rritën me 59 për qind, pasi Moska vendosi të rrisë ndjeshëm shpenzimet në sektorin e mbrojtjes për shkak të luftës në Ukrainë.

Rënia e të ardhurave nga nafta dhe gazi është rezultat i sanksioneve perëndimore, të cilat tani përfshijnë një ndalim të Bashkimit Evropian për shumicën e importeve nga deti të naftës së papërpunuar dhe karburanteve të rafinuara, si dhe një kufi çmimi nga G7-ta.

Gjatë këtij muaji, çmimi i naftës së papërpunuar ishte mesatarisht 49.48 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga dhjetori 2020, por mbi të gjitha ai çmim ishte shumë më poshtë se 70 dollarë për fuçi që pritej nga Moska në buxhetin e saj.

Sipas Natalya Lavrovas, një ekonomiste kryesore në bankën e investimeve BCS Global Markets, është hera e parë në historinë moderne të Rusisë që Moska ka rritur shpenzimet në mënyrë kaq drastike edhe pse të ardhurat e saj po bien me shpejtësi. Duke folur për Financial Times, ajo madje theksoi se “hera e fundit që u pa diçka të ngjashme ishte në vitin 2015 kur shpenzimet për mbrojtjen kombëtare u rritën në mënyrë dramatike”. /Telegrafi/