LAJMI I FUNDIT:

De Zerbi, ‘vrasës i gjigantëve’ në Ligën Premier – me Brightonin e tij ai ëndërron Evropën

De Zerbi, ‘vrasës i gjigantëve’ në Ligën Premier – me Brightonin e tij ai ëndërron Evropën

Trajneri italian Roberto De Zerbi po ndërton një reputacion si ‘vrasës i gjigantëve’ në Ligën Premier, pasi mundi dy herë Chelsean këtë sezon, si dhe Arsenalin dhe Liverpoolin në ndeshjet e kupës.

Brighton i De Zerbit mahniti Chelsean të shtunën, duke siguruar një fitore me rezultat 2-1 në Stamford Bridge.


Kjo ishte hera e dytë që ish-trajneri i Sassuolos i mposht Blutë këtë sezon. Hera e parë ishte në tetor kur ‘Pulëbardhat’ fituan 4-1 ndaj ish-trajnerit të tyre Graham Potter, i cili ishte emëruar nga Blutë një muaj më parë.

Chelsea nuk është viktima e vetme e shquar e De Zerbit këtë sezon. Tekniku italian gjithashtu ka mposhtur Arsenalin në Carabao Cup dhe ka fituar një vend në gjysmëfinale të FA Cup duke mundur Liverpoolin në çerekfinale.

Skuadra e tij Brighton është në garë për një vend në Ligën e Kampionëve, duke qenë shtatë pikë poshtë vendit të tretë në Ligën Premier me një ndeshje më pak.

De Zerbi u emërua nga Brighton në shtator, duke nënshkruar një marrëveshje katërvjeçare për të zëvendësuar Potterin.

Italiani ka një klauzolë lirimi prej 13 milionë euro të përfshirë në kontratën e tij dhe pavarësisht zërave që e lidhin atë me një rikthim në Serie A, Sky Sport Italia së fundmi ka pohuar se 43-vjeçari dëshiron të mbetet në Ligën Premier sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/