Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ka vlerësuar lart mesfushorin e Arsenalit, Martin Zubimendi, duke e cilësuar si futbollistin e dytë më të mirë në botë në pozitën e tij.

Rodri udhëhoqi Spanjën drejt triumfit 1-0 ndaj Argjentinës pas vazhdimeve në finalen e Kupës së Botës 2026, ndërsa turneun e mbylli duke fituar edhe çmimin "Topi i Artë" si lojtari më i mirë i kampionatit.


Edhe pse Zubimendi luajti vetëm për pak minuta në finale, pasi zëvendësoi Rodrin gjatë kohës shtesë, De la Fuente theksoi se mesfushori i Arsenalit mbetet një pjesë shumë e rëndësishme e planeve të kombëtares spanjolle.

"Me gjithë respektin dhe nuk dua të ofendoj askënd, kam thënë se të dyshosh te Rodri është një fyerje për inteligjencën futbollistike".

"Ai është lojtari më i mirë në botë në pozitën e tij, duke ditur se pas tij kemi Martin Zubimendin, i cili është gjithashtu një futbollist i madh, ndoshta i dyti më i mirë në botë", deklaroi De la Fuente për TVE.

Tekniku spanjoll shtoi se Rodri u përmirësua nga ndeshja në ndeshje gjatë Kupës së Botës, duke insistuar se mesfushori i Manchester Cityt ishte superior ndaj shumicës së futbollistëve edhe kur nuk ishte në formën e tij më të mirë fizike.

De la Fuente komentoi edhe përplasjet që ndodhën pas finales me disa pjesëtarë të Argjentinës, duke dënuar ashpër incidentet dhe duke lavdëruar sjelljen e futbollistëve të tij.

"Është e patolerueshme, e papranueshme dhe nuk duhet të lejohet".

"Ajo që duhet të theksohet është sjellja jonë. Përballë atij lloj agresioni, lojtarët tanë ruajtën gjithmonë qetësinë dhe qëndrimin e sportistëve të vërtetë", u shpreh ai.

Duke folur për të ardhmen, De la Fuente pranoi se do të ishte një nder i madh të drejtonte Spanjën edhe në Kupën e Botës 2030, e cila do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku.

"Është nderi më i madh që mund të ketë një trajner, të drejtojë kombëtaren e vendit të tij. Si mund të mos më pëlqente kjo?", përfundoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app