David Beckham feston ditëlindjen e 51-të, Victoria e uron duke i publikuar një fotografi të tij me të brendshme

Victoria Beckham e ka shënuar 51-vjetorin e lindjes së bashkëshortit të saj, David Beckham, me një postim që tregoi se ish-futbollisti vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer. Ish-anëtarja e Spice Girls ka publikuar në Instagram një fotografi ku David pozon me rroba banje të kuqe të tipit Speedo. Në imazhin, i shkrepur gjatë njërit prej pushimeve të shumta që çifti ka bërë së bashku, ai shfaq barkun e tonifikuar dhe tatuazhet e tij të shumta.
Victoria publikoi gjithashtu një fotografi të ëmbël të Davidit nga fëmijëria, me top futbolli në duar, si dhe disa foto romantike të tyre ndër vite.
Në një urim emocional, ajo shkroi: “Ti je bota jonë, gjithçka jonë. Të duam shumë! Gëzuar ditëlindjen bashkëshortit, babait, djalit, vëllait dhe mikut më të mirë. Je shpirti më i mirë dhe më bujari. Sot do të të përkëdhelim gjithë ditën! Askush nuk e meriton më shumë se ti”. Ajo shpërndau edhe një fotografi të vjetër të çiftit nga vitet më të reja, kur David kishte flokë të shkurtër.
Një urim prekës në Instagram e ka bërë edhe djali i tyre Romeo, i cili publikoi dy fotografi nga fëmijëria me të atin. “Gëzuar ditëlindjen, baba, të dua shumë, faleminderit për gjithçka që bën”, shkroi ai mbi njërën foto, ndërsa tjetrën e përshkroi me fjalët: “Miku im më i mirë”.
David e ka nisur festën të premten mbrëma me një darkë në hotelin The Dorchester në Londër, ku Victoria e puthi në faqe teksa ai pozonte pranë tortës së ditëlindjes. Në darkë ishin të pranishëm anëtarët më të afërt të familjes: nëna e Davidit, Sandra, babai Ted me bashkëshorten Hilary, motrat Lynne dhe Jojo, si dhe prindërit e Victorias, Jackie dhe Anthony Adams.
“E para nga shumë festime. Gëzuar mbrëmjen para ditëlindjes!”, shkroi Victoria krahas një serie fotosh. Në këtë darkë nuk ishin fëmijët e tyre, ndërsa për shkak të një përplasjeje familjare, raportohet se nuk pritet që djali i madh Brooklyn dhe bashkëshortja e tij Nicola Peltz të festojnë me Davidin këtë fundjavë.

Ditëlindja e Davidit shënon edhe një vit që prej momentit kur përplasja familjare me Brookly-nin u bë publike, pasi djali i madh dhe Nicola thuhet se e injoruan festën e 50-vjetorit të tij. Që atëherë, sipas raportimeve, David dhe Victoria nuk kanë qenë në kontakt me Brookly-nin.
Javën e kaluar, Victoria foli në një intervistë të rrallë televizive për një vit “sfidues”. E pyetur për periudhën e trazuar në familje, ajo nuk e përmendi drejtpërdrejt të birin, por theksoi se do t’i “mbrojë gjithmonë” fëmijët e saj.
E pyetur se si i përballojnë momentet e vështira, ajo u shpreh: “David dhe unë jemi shumë të afërt dhe jemi të rrethuar nga njerëz të jashtëzakonshëm. Jemi shumë pranë prindërve të mi dhe prindërve të Davidit. E mbështesim njëri-tjetrin në gjithçka që bëjmë”. Ajo shtoi: “I duam shumë fëmijët tanë dhe gjithmonë kemi qenë të përqendruar t’i mbrojmë. Por qeshim shumë. David është vërtet shumë gazmor”.
Sipas raportimeve, Brooklyn në janar e thelloi ndarjen me një postim të ashpër në rrjete sociale, duke lënë të kuptohet se nuk planifikon pajtim me prindërit dhe duke i akuzuar se e kanë “kontrolluar për pjesën më të madhe të jetës”. Që atëherë, thuhet se nuk janë takuar.
Në të njëjtën intervistë, Victoria theksoi se ajo dhe bashkëshorti mbështeten te njëri-tjetri për të kaluar periudhat e vështira. “E mbështesim njëri-tjetrin në gjithçka. Jemi rritur bashkë dhe për këtë ndihem e bekuar. Të dy kemi ëndrra të mëdha dhe jemi ambiciozë, por më e rëndësishmja është që e mbështesim njëri-tjetrin. Unë dua që ai të jetë versioni më i mirë i vetes, dhe këtë e do edhe ai për mua”, përfundoi ajo. /Telegrafi/





























































