‘Daily Mail’ jehonë kualifikimit të Shqipërisë

Kjo e fundit ka nxitur edhe britaniken “Daily Mail” të shkruajë për suksesin e një ekipi të vogël që vetëm disa vite më parë renditej në shkallët e ulëta të renditjes së FIFA-s.
Sipas gazetës britanike një vend që para viteve 90’ ishte i dashuruar me Norman Wisdom (Pitkini) sot është një realitet i bukur i futbollit kontinental.
“Daily Mail” e lidh suksesin edhe me faktorin italian, ku nuk është vetëm trajneri Gianni De Biasi, por edhe lojtarë si Etrit Berisha i Lazios, apo Elseid Hysaj i Napolit. Një sukses i arritur me një grup të përbërë nga lojtarë të rinj dhe të shpërndarë në të gjithë Evropën.
Kombëtarja kaloi peripeci deri në këtë sukses duke përmendur ngjarjet e rënda në Beograd, që sollën 3 pikë të fituara me shumë mund, në një betejë që zgjati disa muaj me drejtësinë sportive, që u kurorëzuan me fitoren 0-3 në Jerevan me Armeninë.
Ata nuk harrojnë të kujtojnë edhe atë që e lidhë Anglinë me Shqipërinë. I pari që iu bie ndërmend është kapiteni Lorik Cana që ka luajtur për Sunderlandin, ndërsa përmenden edhe emrat e Rudi Vatës që ka luajtur në Celtic dhe i Adnan Januzajt që ishte pjesë e Manchester United dhe ka prejardhje shqiptare.
Megjithatë ky është një Kampionat Evropian me shumë debutues, me Islandën, Sllovakinë, Irlandën e Veriut apo Uellsin.
Shqipëria kishte marrë pjesë vetëm me ekipe të rinj në faza finale në të kaluarën dhe kjo është absolutisht arritja më e madhe e futbollit të vendit të vogël nga Ballkani, përfundon shkrimi i ‘Daily Mail’.













































