Çmimi dhe faturimi i rrymës, Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seancë e jashtëzakonshme për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.
Seanca mbahet në ora 11:00.
Javë më parë Lidhja Demokratike e Kosovës ka denoncuar se njehsorët e energjisë elektrike po faturojnë gabimisht, duke aplikuar tarifa më të larta edhe gjatë orëve kur çmimi duhet të jetë më i ulët.
Sipas kësaj partie, nga 884 njehsorë të verifikuar, rreth 87 për qind kanë rezultuar me parregullsi në matje.
Raportimet për këto çështje kanë nxitur edhe reagimin institucional, ku Ministria e Industrisë ka formuar një komision të posaçëm për verifikimin e njehsorëve të dyshimtë, ndërsa numri i ankesave nga qytetarët ka kaluar mbi 500.
Në anën tjetër, KEDS ka mohuar këto pretendime, duke ftuar qytetarët që të paraqesin ankesat e tyre për verifikim. /Telegrafi/





















































