Clinton siguron Jahjagën për sovranitetin e Kosovës

Presidenti Barack Obama dhe unë, tha Clinton, jemi të përkushtuar për të garantuar se e ardhmja që Kosova po përpiqet të ndërtojë do të ketë rëndësi të madhe në radhë të parë për popullin e Kosovës, por dhe për të gjithë rajonin. Ajo tha se shpreson që vendimi i javës së kaluar i Bashkimit Evropian të hapë rrugën për integrimin e Kosovës në BE.
Nga ana e saj, presidentja Jahjaga e quajti marrëveshjen e nënshkruar në Departamentin e Shtetit një akt të fuqishëm simbolik që flet për marrëdhëniet e forta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara i kanë qëndruar kurdoherë pranë Kosovës. Qëndrimi ynë, tha Jahjaga, është ndërtimi i marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët. Kosova, tha ajo, është vend i ri me një histori të gjatë dhe ka një trashëgimi të pasur kulturore.
Presidentja e Kosovës ndodhet në Washington për një numër aktivitetesh. Të enjten, Jahjaga do të marrë pjesë në përurimin e një nisme të re të Sekretares Clinton për të shtuar numrin e grave në shërbimin publik dhe në udhëheqjen politike të të gjitha niveleve. /voa/Telegrafi/





















































