LAJMI I FUNDIT:

Çka tha Naim Murseli në Prokurori, detaje nga deklarata e tij

Çka tha Naim Murseli në Prokurori, detaje nga deklarata e tij

Të enjten, Naim Murseli i cili dyshohet se ka porositur vrasjen e bashkëshortës së tij, Liridona Ademaj – Murseli, ka përfunduar dëshminë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Pas seancës, avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, ka thënë për Telegrafin se Murseli ka mohuar në tërësi versionin e dhënë gjatë intervistimit në polici.


Po ashtu, shtoi se informatat të cilat janë publikuar lidhje me raportet e tendosura në mes të bashkëshortëve lidhur me besnikërinë e tyre, i pandehuri i ka mohuar në tërësi.

“Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar, me sot. Është kryer deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervisitimit në Polici. Deklarata e tij ka qënë e dhënë në detaje në shpjegimin e ngjarjes, dhe e ka mohuar implikimin e tij në këtë rast. Informatat të cilat janë publikuar lidhje me raportet e tendosura në mes të bashkëshortëve lidhur me besnikërinë e tyre i pandehuri në tërësi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtutjeshme”, u shpreh avokatja Zhinipotoku.

“Problemi familjar” i Naim Murselit, dëshmia e babait të tij: Ka pasur disa SMS me gruan e vëllait të Kushtrim Kokallës
Lexo po ashtu “Problemi familjar” i Naim Murselit, dëshmia e babait të tij: Ka pasur disa SMS me gruan e vëllait të Kushtrim Kokallës

Naim Murseli dyshohet se me datë 29 nëntor 2023, ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj.

Për vrasjen e saj janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, Granit Plava i cili dyshohet se ka kryer vrasjen, dhe Kushtrim Kokalla i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në planifikimin e vrasjes.

Në deklaratën e tij në polici, Naim Murseli ishte shprehur se kishin pasur probleme martesore dhe që e kishin pamundësuar vazhdimësinë e lidhjes së tyre, mirëpo sipas tij ai nuk ka qenë i informuar që Plava do e kryente vrasjen atë ditë.

Të ndryshme kanë qenë deklaratat e Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës.

Plava kishte thënë se kishte kohë që Murseli i bënte presion për t’ia vrarë gruan dhe se ky ishte detyruar sepse kishte probleme financiare dhe shëndetësore.

Ai kishte deklaruar se Naim Murseli i kishte premtuar që do ta nxjerrte nga burgu.

Ndërsa, Kokalla i cili është djali i hallës së Naim Murselit, është shprehur se nuk ka qenë fare i përfshirë në këtë rast, përveç se ishte ai përmes së cilit ishin njoftuar Murseli dhe Plava.