LAJMI I FUNDIT:

Cilat duhet të jenë prioritetet e Qeverisë për vitin 2023?

Cilat duhet të jenë prioritetet e Qeverisë për vitin 2023?

Arsimi dhe shëndetësia janë dy fushat në të cilat Kosova ka probleme të shumta, të cilat rrënjët i kanë aq thellë sa për t’i çrrënjosur nuk kanë mjaftuar as 23 vitet e pasluftës.

Përveç cilësisë së dobët në arsim, e cila është dëshmuar gjithherë në testet e PISA-s, vitin që lamë pas Kosova u përball edhe me grevën më të gjatë nga mësimdhënësit.

Viti shkollor 2022/2023 filloi me një muaj vonesë – 3 tetor – pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit refuzonte të mbante mësim pa i marrë të gjithë punëtorët e arsimit nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të Pagave.


Aq sa kërkuan nuk morën, por pas shumë përpjekjeve një zgjidhje mes tyre dhe Qeverisë së Kosovës u arrit. Kjo e fundit për tre muaj (tetor-nëntor-dhjetor) të vitit 2022 ndau nga 50 euro shtesë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik.

E në shëndetësi problemet ‘lulëzojnë’ çdo ditë. Mungesa e personelit shëndetësor, pajisjeve dhe kushteve për trajtimin e pacientëve me sëmundje të rënda, barnave, madje edhe të atyre esenciale – janë vetëm disa prej tyre.

Përmirësimin e gjendjes kaotike nuk po mund ta zgjidhin as ata të cilëve po u besohet udhëheqja e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në krye të këtij dikasteri nga nëntori i 2021-së deri në tetor të vitit pasues ishte Rifat Latifi, mjek i njohur në Amerikë që erdhi në vendlindje për t’i shërbyer shëndetësisë, i cili më 6 tetor “me zhgënjim të thellë dhe keqardhje” dha dorëheqja nga pozita e ministrit.

Kryeministrit Albin Kurti iu deshën më shumë se tre muaj për ta zëvendësuar Latifin me paraardhësin e tij në këtë detyrë – Arben Vitinë i cili kishte braktisur shëndetësinë për të garuar për të parin e kryeqytetit më 1 tetor 2021.

Tashmë mbetet të shihet nëse riemërimi i Vitisë në krye të shëndetësisë do ta këndellë sadopak shëndetësisë e zhytur në parregullsi.

E analistët vendorë teksa potencojnë se shëndetësia e arsimi duhet të jenë prioritet i Qeverisë në vitin 2023, thonë se vitin që lamë pas nuk është bërë sa duhet.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”

“Sigurisht shëndetësia dhe arsimi duhet të jenë prioritet i ekzekutivit për vitin 2023. Janë çështjet më të rëndësishme që Qeveria duhet të merret me to gjatë këtij viti. Në të dyja fushat gjatë vitit që lamë pas nuk ka pasur diçka konkrete”.

“Në shëndetësi e kemi parë që një kohë të gjatë as ministër nuk ka pasur. Nuk ka as sigurime shëndetësore dhe as nuk ka tendencë për të filluar për të bërë diçka. E në arsim i dimë problemet me greva që ishin”, thotë për Telegrafin analisti Arton Demhasaj.

Sipas tij, njëjtë si qeverive të kaluara, edhe asaj që udhëheqë aktualisht shumë kohë dhe energji i ka shpenzuar dialogu me Serbinë. Ndaj, Demhasaj beson se pranvera e këtij viti është afati kur mund të arrihet marrëveshja finale me fqinjin verior.

“Normalisht si qeveritë tjera edhe kjo qeveri ka shpenzuar shumë kohë dhe energji në dialog. E me shumë gjasë njëjtë do të ndodhë edhe këtë vit.  Mendoj se pranvera e këtij viti do të jetë afati i finalizimit të procesit të dialogut. Faktori ndërkombëtar tashmë është i vendosur që marrëveshja të ndodh”.

Ai shton se kjo do të jetë e mirë për Kosovën pasi qeveritë fillojnë e merren me problemet fundamentale që kanë qytetarët, e jo vetëm me dialogun dhe Serbinë.

“Kur marrëveshja finale me Serbinë të bëhet më as qeveritë nuk kanë se si të arsyetohen se po merren me dialog dhe domosdoshmërish do të fillojnë të merren me problemet e kësaj shoqërie”, përfundon Demhasaj.

Edhe profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, përmend shëndetësinë dhe arsimin si fusha që duhet të jenë top prioritete të Qeverisë.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi

Ai thotë se sektori i energjisë dhe dialogu për gjetjen e një zgjidhje me Serbinë duhet të jenë gjithashtu në fokus.

“Sa i përket prioriteteve do t’i veçoja për nga rëndësia katër: strategji më e zgjuar sa i përket sektorit të energjisë pasi ky sektor ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë me nivelin e ekonomisë së vendit. E dyta shëndetësia – një reformë shumë serioze në shëndetësi dhe një njëfarë mënyre që i përshtatet shekullit XXI”, shprehet Arifi.

“E treta është arsimi, pasi është shtylla e një shteti dhe një shoqërie. Kosova ka nevojë për një arsim cilësor. Duhet një strategji më gjithëpërfshirëse. Dhe në fund është dialogu, por jo domosdoshmërish me Serbinë. Pra, dialog Kosovë-Bashkimi Evropian-Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se si të gjendet zgjidhja. Ne me Serbinë nuk po mund të gjejmë zgjidhje, por këtë mund ta bëjmë përmes partnerëve ndërkombëtarë. Pra, kjo duhet të jetë strategjia e re që qeveria duhet ta rimendojë”, përfundon ai. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Momenti kur kamioni devijon rrugën dhe përplaset me disa vetura në Veternik

Momenti kur kamioni devijon rrugën dhe përplaset me disa vetura në Veternik

Kronika e Zezë
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar

Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar

Kronika e Zezë
Emisari amerikan Kasanof bën thirrje për partneritet më efektiv me Kosovën

Emisari amerikan Kasanof bën thirrje për partneritet më efektiv me Kosovën

Lajme
Aksident i rëndë në Veternik flasin nga Emergjenca e QKUK-së: Tetë persona janë duke u trajtuar

Aksident i rëndë në Veternik flasin nga Emergjenca e QKUK-së: Tetë persona janë duke u trajtuar

Lajme
Uka: Nëse vërtetohen përgjimet, i bie që është cenuar siguria kombëtare

Uka: Nëse vërtetohen përgjimet, i bie që është cenuar siguria kombëtare

Lajme
11 persona lëndohen në një aksident në Veternik, përfshihen 11 vetura dhe një kamion

11 persona lëndohen në një aksident në Veternik, përfshihen 11 vetura dhe një kamion

Kronika e Zezë
Kalo në kategori