LAJMI I FUNDIT:

ÇIFTI MË I LUMTUR

ÇIFTI MË I LUMTUR

Nga: Tawfiq al-Hakim
Përktheu: Jahja Honduzi

U ul për të dëgjuar radio nga e cila dilte një zë i bukur: “E vendosim mishin në tenxhere, mandej e mbushim me patate… i shtojmë qepë…”, e të tjera gjëra që u përmendën atë ditë në programin e amvisërisë.

Duke e dëgjuar këtë, zemra sa s’i fluturonte nga mallëngjimi, prandaj nuk mund të duronte më.

Ia shprehu haptazi familjes dëshirën e tij: “Më duhet të martohem me këtë grua eksperte të ushqimit”.

“A e njeh?”

“Jo, nuk e njoh, përveç zërit të saj të ëmbël… ajo po ma dridh zemrën”.

Heroi ynë ishte prej të tillëve të cilët nuk bënin dallim mes zemrës dhe lukthit…

Kështu, kur e pyeste mjeku ndonjëherë: “Ku e ke lukthin?” ai bënte me shenjë nga zemra… e kur e pyeste: “Ku e ke zemrën?” ai bënte me shenjë nga lukthi.

Pra, gruaja që dëshironte t’ia pushtojë zemrën, duhet ta njihte fillimisht rrugën për te lukthi… e kur ta pushtonte atë, atëherë zotëronte gjithçka.

Martesa u bë. Kaluan edhe ditët e para. Burri fluturonte nga gëzimi duke pritur ditën kur gruaja e tij do të hyjë në kuzhinë për t’i përgatitur ato ushqime të shijshme që i përshkruante në radio.

Më në fund erdhi dita e shumëpritur. Gruaja hyri në kuzhinë. Burri u gëzua dhe filloi të lutet për të. Priste me përmallim duke menduar për ushqimin e shijshëm i cili do ta bëjë të lumtur.

Mirëpo, gruaja u vonua gjatë në kuzhinë. Burri priti një orë… mandej edhe një orë… edhe një orë… derisa u lodh nga pritja. Pas pak, gruaja doli nga kuzhina, e mbuluar nga djersët dhe i tha:

“Me keqardhje, të kam përgatitur vezë të fërguara, që të mos të ta vonoj ushqimin”.

Nuk mund t’u besonte fjalëve të saj, megjithatë e përmbajti veten. Në asnjë mënyrë nuk i shkonte në mendje se gruaja e tij nuk dinte t’i përgatiste ato ushqime që i prezantonte në radio.

U ul në tryezë dhe filloi të hajë vezë por, ç’të shohë?! Vezët ishin djegur.

Kur u bë ora katër, gruaja shpejtoi për të dalë nga shtëpia sikur kishte një takim të rëndësishëm.

Në orën pesë burri u ul i vetmuar për të dëgjuar radio, kur ja gruaja e tij po u fliste dëgjuesve me zërin e ëmbël:

“E vendosim mishin në tenxhere… etj.”

Burri i gjorë mendoi për një çast dhe nuk dinte çfarë të bënte, a të qesh, apo të qajë? /Revista “Akademia”/