LAJMI I FUNDIT:

Çfarë po ndodh në Gaza?

Çfarë po ndodh në Gaza?

Militantët në Gaza filluan të qëllonin me raketa në Izrael të hënën në mbrëmje gjersa izraelitët janë përgjigjur duke goditur objektiva në territor.

Të mërkurën Izraeli tha se kishte vrarë zyrtarë të lartë të Hamasit në Gaza dhe po synonte gjithashtu vendet e lëshimit të raketave, raporton bbc.


“Ky ishte vetëm fillimi. Ne do t’u shkaktojmë goditje atyre që ata kurrë nuk i kanë ëndërruar”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Hamas – grupi militant që drejton Gazën – konfirmoi vdekjen e komandantit të tyre dhe luftëtarëve të tjerë.

“Mijëra udhëheqës dhe ushtarë do të ndjekin gjurmët e tyre”, tha Hamas në një deklaratë të raportuar nga reuters.

Ministria e shëndetit e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se më shumë se 300 njerëz janë plagosur që nga fillimi i konfliktit, si dhe 53 të cilët kanë vdekur.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) raportuan se sulmet e tyre në Gaza ishin më të mëdhat që nga konflikti në vitin 2014.

Të Mërkurën thuhet se u shkatërrua një ndërtesë e tretë shumëkatëshe në Gaza. Banorët ishin paralajmëruar të evakuojnë ndërtesat përpara se aeroplanët luftarakë të sulmonin; megjithatë zyrtarët shëndetësorë thanë se kishte ende vdekje civile.

Pesë anëtarë të një familje u vranë në një sulm ajror të martën, duke përfshirë dy vëllezër të rinj.

Një 11-vjeçare banore në Gaza, Yasmine, tha për Save the Children se e marta mbrëma ishte nata më e keqe e jetës së saj.

“Unë kisha dhimbje në stomak nga frika dhe prindërit e mi po përpiqeshin të më ngushëllonin dhe të më thoshin se bombardimet ishin larg, por unë mund ta ndieja që ishin afër”, tha ajo duke shtuar se “Nesër është Bajram dhe ne nuk do të festojmë për shkak të këtij konflikti”. /Telegrafi/