Në fakt, para pak ditësh, KOK-u e ka organizuar një ceremoni solemne me rastin e pranimit në IOC, ku i pranishëm ishte edhe fituesi i një medalje olimpike.

Por, Aziz Salihut i ka mbetur hatri në udhëheqësit e sportit kosovar që nuk ia kanë ndarë një mirënjohje, për kontributin që e ka dhënë në sportin kosovar, veçmas në KOK.


“Është turp për ata njerëz që qëllimisht më lënë në harresë. Unë me Veton Surroin, Shaqir Shaqirin, e disa e kemi themeluar KOK-un. Unë kam punuar me pavarësu sportin e Kosovës prej atij të ish-Jugosllavisë, për çka jam rrahur e jam maltretuar, ndërsa këta qëllimisht nuk ma japin asnjë mirënjohje. Mundohen të më eliminojnë krejt”, tha Salihu, transmeton ‘Zëri’.

“Unë kam pas marrë pjesë në tri Olimpiada. Një medalje olimpike ia kam sjell Kosovës, e jo Bangladeshit. E këta nuk më lënë vend askund. Kam shpenzuar para prej xhepit tim për të lobuar për sportin e Kosovës, për ndërkombëtarizimin e KOK-ut, dhe asnjë mirënjohje nuk ma dhanë. A është ky gjynah për mua dhe turp për ata njerëz që e kanë uzurpuar KOK-un”, u shpreh Salihu, i cili thotë se mjerë sporti kosovar në duart e kujt ka mbetur.

“E kanë uzurpuar sportin njerëz jo sportistë, që janë të dënuar me burg, kurse njerëzit që e kanë mbajtur gjallë sportin, sportistët e mëdhenj, i kanë lënë rrugëve. I kanë uzurpuar krejt. Turp duhet t’u vjen”, nënvizoi Salihu shumë i mllefosur. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app