LAJMI I FUNDIT:

Çanta diplomatike e propagandës ruse në Ballkan

Çanta diplomatike e propagandës ruse në Ballkan

Për shekuj me radhë, përfaqësuesit e qeverive jashtë vendit i kanë përdorur çantat për transferimin konfidencial të dokumenteve për të cilat publiku nuk ishte – e as nuk duhej të ishte – i vetëdijshëm. Kremlini zyrtar këtë çantë sot e ka shndërruar në mjet të propagandës publike.

Dezinformimi ndërlidhet me sigurinë. Si term ka rrjedhur nga shërbimi sekret sovjetik, KGB, me këtë kuptim: “Informacion i rremë me qëllim të mashtrimit të opinionit publik”. Pra, nuk është risi përdorimi i keqinformimit si armë, mirëpo intensiteti i këtij fenomeni po bëhet shqetësues. Moska po e nxit gjuhën e urrejtjes dhe po e përdor atë për të shkatërruar diskursin publik e për të nxitur përçarjen jashtë Rusisë. Kur është fjala te Ballkani Perëndimor, Rusia e përdor dezinformatën për të krijuar huti. Pra, tenton t’i ruajë konfliktet e ngrira e mundësisht të nxisë tensione.


Për sulme ndaj vlerave evropiane në vendet e Ballkanit, kujdestare janë Russia Today dhe Sputnik. Sputnik-u është shembull eklatant i përhapjes së keqinterpretimeve, dezinformatave dhe propagandës. Prej vitit 2015, Sputnik-u e ka hapë degën e saj në Serbi dhe e ka shtuar ndikimin te një numër i caktuar i mediave serbe që janë nën ndikimin e politikës ruse. Narracioni kryesor i Sputnik Serbia-s është përçarja e shoqërive ballkanike. Ky medium i amplifikon narrativat që janë kritike ndaj Perëndimit, duke minuar mbështetjet për proceset e demokratizimit. Me fjalë të tjera, krijon armiqësi.

Nuk ka vend që ka prodhuar narracione të rrejshme për Kosovën, sikurse Rusia. Kujtojmë rastin e falsifikimit të fotografisë së gruas së deportuar nga Ivaja e Kaçanikut, gjatë luftës së fundit në Kosovë – të Sherife Lutës me foshnjën e saj. Mediet ruse e kanë manipuluar foton me softuer, ku në vend të prapavijës origjinale e kanë vendosur një ndërtesë të bombarduar me përfundimin se “ja se çfarë i ka bërë NATO-ja një nëne serbe”. Pra, televizionet ruse e falsifikojnë edhe të kaluarën për të nxitur urrejtje.

Moska nuk mund të ketë ndikim e popullaritet në Kosovë e askund tjetër në Ballkan (pos në Serbi) – as me fuqinë e saj ekonomike, as atë demokratike, e as t’i rregullojë kujtimet e hidhura në rajon. Por, Serbia vazhdon të përdoret si instrument i politikës ruse. E ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish, është një nga format se si Rusia e përdor Serbinë për qëllime të shërbimeve sekrete. Lokacioni i saj është jo shumë larg kufirit të Serbisë me Bullgarinë, anëtare e NATO-s, si dhe me Kosovën ku ndodhet një bazë e madhe ushtarake amerikane. Njohës të sigurisë thonë se rusët po bëjnë presion të madh që kjo Qendër të ketë status diplomatik, me qëllim që askush të mos i kontrollojë “çantat” që shkojnë aty, nga Rusia.

Federata Ruse nuk i fsheh ambiciet e veta në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jo se ka shumë interesa për Kosovën, për Serbinë, për Maqedoninë e Veriut apo për Malin e Zi, por për arsye të NATO-s, ShBA-së dhe disa vendeve të fuqishme të Bashkimit Evropian që përmes Kosovës ta rrisë ndikimin e vet politik në Euroazi. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kohë që e përdor Kosovën si antitezë në raport me Perëndimin, me qëllim që ta ndjekë politikën e ndërhyrjes në shtetet sovrane, të arsyetojë shkeljen e integritetit të tyre territorial, të copëtojë territore apo t’i vë ato nën ndikimin e Kremlinit. Dhe, këtë e ka bërë prej verës të 2008-së, kur ka filluar lufta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë për Abhazinë dhe Osetinë Jugore, e deri te aneksimi i Krimesë apo kriza në Siri.

Brutaliteti diplomatik i Putinit pra nuk ka të bëjë shumë me marrëdhëniet Rusi-Kosovë, por me rivalitetin mes fuqive të Perëndimit dhe Rusisë. Ndaj i shfrytëzon dobësitë e Bashkimit Evropian, sidomos mos zgjerimin në rajonin e Ballkanit, për çka në shënjestër janë aleatët e NATO-s, anëtarët e BE-së, si dhe fqinjët tanë.