LAJMI I FUNDIT:

Bukëpjekësit me peticion drejtuar Qeverisë për mbështetje

Bukëpjekësit me peticion drejtuar Qeverisë për mbështetje

Problemet e furrave të bukës, shitja e produkteve nën kosto të ulët, ulja çmimit i energjisë elektrike prej 50%, kamata prej 5 % për para të imëta nga bankat komerciale, të rritet kontrolli i kualitetit të bukës, të luftohet tregu joformal, ku bëhet prodhimi i produkteve pa licenca, të krijohet një rregullator për përcaktimin e çmimit të bukës, mungesa e punëtorëve profesional dhe peticioni i organizuar, ishin temat e konferencës së organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) me bizneset e këtij sektori.

OAK ka njoftuar se pas konsultimeve me këtë sektor ka mbledhur deri më tani dhjetëra nënshkrime nga furrat duke bërë një peticion të cilin do ta dërgojnë në Qeveri, në Ministrinë e Financave, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Rreze Cana, zyrtare në Odën e Afarizmit të Kosovës, prezantoi problemet e identifikuara dhe pikat të cilat kanë nxjerrë për zgjidhjen e këtyre problemeve që furrat po hasin gjatë punës së tyre dhe po iu shkaktohen dëme.

“Ulja e çmimit të energjisë elektrike për bukëpjekës minimum deri në 50%, shembull kemi Shqipërinë e cila sivjet ka marrë vendim për furrat e bukës të ulet çmimi i energjisë elektrike deri në 50%, pra tarifat dhe çmimet e miratuara nga Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri për 2018 në 0.4 KW të jetë 7.6 ku për klient në 0.4 është 14 .Atëherë nëse marrim të njëjta masa tarifa dhe çmimi aktualisht që është 11.27 KW për bukëpjekësit të jetë 56.35 KW. Sipas ligjit për energji elektrike, neni 5 paragrafi i parë: Rregullatori ose Qeveria varësisht nga fushat e përgjegjësisë së tyre mund të vendosin obligime të shërbimit publik për ndërmarrjet e energjisë, në bazë të interesit publik dhe në interes të përgjithshëm ekonomik, të cilat kanë të bëjnë me: 1.1. sigurinë, duke përfshirë sigurinë e furnizimit; 1.2. rregullsinë; 1.3. cilësinë dhe çmimin e furnizimit; 1.4. mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e konkurrencës, duke përfshirë efiçiencën e energjisë, energjinë nga burimet e ripërtërishme dhe ndryshimet klimatike. Kështu që kemi mbajtur takim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë ku kemi shprehur kërkesën dhe kemi mbetur për bisedime të mëtutjeshme”, tha Cana.

Sipas saj, kërkesa tjetër që kanë parashtruar furrat është të largohet kamata prej 5% për para të imëta prej bankave komerciale ku bukëpjekësit janë të detyruar që për kthimin e parave të imëta në para të letrës të paguajnë një kamatë prej 5-8%, gjë që është e paarsyeshme.

“Të rritet kontrolli i kualitetit të produkteve, shumë biznese që shesin produktet të ndryshme po shesin dhe produkte të bukës me çmim përgjysmë më lirë se furrat dhe me kualitet të dobët gjë që ndikon në shëndetin e qytetarëve”, tha zyrtarja e OAK-së.

Gjithashtu një kërkesë tjetër që nuk duhet mënjanuar, sipas saj, është edhe tregu joformal ku po bëhet prodhimi i bukës pa licenca, ku disa biznese po funksionojnë pa licenca gjë që është në kundërshtim me ligjin për shoqëritë tregtare.

Cenë Gjuraj nga Furra Apollonia tha se kanë një sërë problemesh ndër to problemin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe rritjes së çmimi të miellit. Ai tha se Kryeministri i Kosovës i ka akuzuar si furra që kanë ngirtur çmimin e bukës, por me këtë nuk kanë të bëjnë furrat. /Telegrafi/