Bugatti më nuk do ta prodhojë, por të pasurit mund ta porosisin ende W16


Një epokë e jashtëzakonshme në historinë e automobilizmit po merr fund. Bugatti W16 Mistral është modeli i fundit i markës franceze që pajiset me motorin legjendar 8.0-litërsh W16 me katër turbo, duke mbyllur një kapitull që zgjati gati dy dekada.
Mistral u prezantua në vitin 2022 dhe do të prodhohet në vetëm 99 ekzemplarë, të gjithë tashmë të shitur. Pothuajse çdo automjet është krijuar sipas programit të personalizimit Sur Mesure, çka do të thotë se nuk ekzistojnë dy makina identike.
Modeli i fundit tërheq vëmendje edhe për detajet unike. Në vend të skulpturës tradicionale të elefantit vallëzues në levën e marshit, pronari i këtij Mistral ka zgjedhur një kokë skifteri prej alumini, ndërsa motivi i skifterit është qëndisur me dorë edhe në veshjet e dyerve. Mbështetësja e krahut është zbukuruar me veprën artistike prej kristali "Spirit of the Wind", të realizuar në bashkëpunim me shtëpinë franceze Lalique.
- YouTube www.youtube.com
Përveç luksit, Mistral do të mbahet mend edhe për performancën. Në nëntor të vitit 2024, piloti i Bugatti-t, Andy Wallace, vendosi një rekord botëror për një automobil pa çati, duke arritur shpejtësinë 453.91 km/h në pistën e testimit në Papenburg të Gjermanisë. Me këtë rezultat, W16 Mistral u shpall roadster-i më i shpejtë serik në botë.
Vetura që vendosi rekordin u dorëzua më pas pronarit të saj gjatë Çmimit të Madh të Britanisë në Silverstone dhe vlera e saj vlerësohet rreth 14 milionë euro, ndërsa çmimi fillestar i një W16 Mistral standard ishte rreth 5 milionë euro.
Motori W16, i cili debutoi në Bugatti Veyron në vitin 2005 dhe më pas fuqizoi modele si Chiron, është konsideruar një kryevepër inxhinierike falë konfigurimit unik me 16 cilindra, kapacitetit 8.0 litra dhe katër turbokompresorëve. Me përfundimin e prodhimit të Mistral, Bugatti i jep lamtumirën një prej motorëve më ikonë në historinë e automobilizmit. /Telegrafi/




































