LAJMI I FUNDIT:

Britania do ta furnizojë Ukrainën me mbi 10 mijë dronë

Britania do ta furnizojë Ukrainën me mbi 10 mijë dronë

Sekretari britanik i Mbrojtjes sot gjendet në Kiev, ku do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn ndërsa ka njoftuar një tjetër pako mbështetëse të Mbretërisë së Bashkuar.

Grant Shapps do të sigurojë një investim të mëtejshëm prej 146 milionë eurove, i cili do të financojë blerjen e më shumë se 10 mijë dronave.


Këto përfshijnë dronët me pamje nga personi i parë (FPV), 1000 dronë sulmues në një drejtim dhe dronët vëzhgues dhe ata të detit, shkruan skynews.

Masa vjen pas një njoftimi të muajit të kaluar se Mbretëria e Bashkuar do të bashkëdrejtojë një koalicion ndërkombëtar për ta furnizuar me drone shtetin ukrainas.

“Ne po rritim angazhimin tonë për të armatosur Ukrainën me dronë të rinj të fundit që vijnë direkt nga industritë kryesore të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar – direkt nga dyshemeja e fabrikës në vijën e parë të frontit. I inkurajoj partnerët ndërkombëtarë që t’i bashkohen Mbretërisë së Bashkuar në këtë përpjekje”, tha ministri.

Ndryshe, Britania e Madhe deri më tani e ka blerë dronë për ukrainasit në vlerë të 380 milionë eurove. /Telegrafi/