LAJMI I FUNDIT:

Britania e Madhe e pranon: Me BREXIT-in merr fund tregtia e lirë me Evropën

Britania e Madhe e pranon: Me BREXIT-in merr fund tregtia e lirë me Evropën

Ideja se pavarësisht largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, përsëri tregtia mund të mbetet e lirë me 27 vendet e bllokut tashmë është zyrtarisht e pamundur.

Sekretari britanik i Kabinetit, Michael Gove paralajmëroi se bizneset se qeveria do të ushtrojë kontrolle të rrepta mbi mallrat nga Bashkimi Evropian, duke filluar nga fundi i këtij viti, duke pranuar kështu fundin e tregtisë së lirë me tregun më të madh të eksporteve.


“Britania e Madhe do të jetë jashtë tregut të vetëm të BE-së dhe jashtë bashkimit doganor, kështu që ne do të duhet të jemi të gatshëm për procedurat doganore dhe kontrollet rregullatore që do të pasojnë në mënyrë të pashmangshme”, tha Gove, përcjell Telegrafi.

Tregtia e lirë, e cila lejon që mallrat të lëvizin midis vendeve pa u përballur me tarifa ose kontrolle kufitare, është një karakteristikë kryesore e Bashkimit Evropian. Përkrahësit e BREXIT-it, fillimisht kishin pohuar se Britania e Madhe mund të ruajë marrëveshjen ose diçka të ngjashme edhe jashtë bllokut. Por ajo ëndërr u shua shpejt ose ishin ngritur që në fillim shpresat të gabuara se Bashkimi Evropian do t’i jepte kësaj privilegje të rezervuara për anëtarët e bllokut edhe pas largimit nga unioni.

Vendimi i kryeministrit Boris Johnson për të devijuar nga politikat dhe rregulloret e BE-së për të mos kërkuar një marrëdhënie të ngushtë ekonomike me bllokun pas BREXIT-it duket se ishte goditja finale.

Gove bëri të qartë se bizneset duhet të përgatiten për kontrolle të shtuara të importit të mallrave që lëvizin midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian kur periudha e tranzicionit të përfundojë më 31 dhjetor. Tregtarëve do t’iu kërkohet të paraqesin deklarata doganore dhe dërgesat mund të ndalen për inspektim.

Kontrollet e kufijve mund të nënkuptojnë vonesa dhe më shumë shirita të kuq për bizneset dhe kompanitë e huaja që bëjnë biznes në Britani të Madhe, të cilat kanë vuajtur prej gati katër vjetësh pasiguri nga BREXIT-i.

Më herët, Johnson nënshkroi një deklaratë politike me Bashkimin Evropian vjeshtën e kaluar, për të krijuar një zonë të tregtisë së lirë, duke kombinuar bashkëpunimin e thellë rregullator dhe doganor, të mbështetur në konkurrencë të ndershme, por tashmë kufizimet e marrëveshjes janë të qarta. /Telegrafi/