Një mi gjigant afrikan është dekoruar me një medalje ari prestigjioze për zbulimin e minave tokësore.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, miu Magawa ka nuhatur 39 mina tokësore dhe 28 municione të pashpërthyera.

Qendra veterinare bamirëse në Mbretërinë e Bashkuar (PDSA) e ka dekoruar atë me Medaljen e Artë për “devotshmëri ndaj detyrës për shpëtimin e jetëve” pasi i identifikoi minat tokësore vdekjeprurëse në Kamboxhia.

Mendohet se deri më tani gjenden rreth gjashtë milionë mina tokësore në vendin e Azisë Juglindore.

Bëhet e ditur se brejtësi shtatëvjeçar u trajnua nga organizata bamirëse e regjistruar në Belgjikë e njohur si “Apopo”, e cila është e vendosur në Tanzani; ajo merret me trajnimin e brejtësve për identifikimin e minave dhe tuberkulozin nga vitet 90-ta. Kafshët certifikohen pas një viti trajnimi. /Telegrafi/