LAJMI I FUNDIT:

Braktisja si gjakim

Braktisja si gjakim
Sulejman Dermaku (foto: A. Sh.)

Sulejman Dërmaku

Historia dënon të gjithë ata që vonohen,
porse edhe mendjelehtët dhe egoistët,
e nuk i fal as indiferentët dhe të paskrupullit
(Urti)


Viti ’56 i shekullit XX për shqiptarët ishte një vit i acartë. Ndonëse as vitet e mëhershme nuk kishin qenë lule. Atë vit acari kishte vënë pushtet kudo. Acar në natyrë, acar në shpirt. Ngado vetëm acar. Përfaqësuesit e pushtetit të vetëquajtur popullor nga shqiptarët kërkonin armë. Nuk ishte me rëndësi në i kishin apo jo. Me rëndësi ishte të dorëzohej arma e kërkuar. Pas shumë torturave çnjerëzore, ai që mbetej gjallë, e dorëzonte armën e kërkuar. E pati, s’e pati – e gjente. E shiste edhe lopën e vetme për ta blerë. Thante gojët e fëmijëve. Kryesore ishte të shpëtonte kreu i shtëpisë. Më rëndë e kishte ai që nuk kishte lopë, as gjë tjetër që do ta shiste. Arma gjendje lehtë. E shisnin vetë kërkuesit. Me ndërmjetës, natyrisht. Ndodhte që e njëjta armë të blihej, të shitej e të dorëzohej disa herë.

Torturat e bënin të veten. Gjumi më s’bëhej gjumë. Shpirti e mendja s’kishin qetësi. Ngushëllim nuk gjendej dot. Kërkoheshin rrugëzgjidhje. Alternativa të pakta u silleshin në kokë njerëzve. Megjithatë, rrugëzgjidhje e vetme dukej ishte largimi nga vatra. Zaten, këtej edhe kanalizohej aksioni i pushtetit. Sikur e sheshonin më shumë atë rrugëzgjidhje. Sikur kinse spontanisht dilte si mundësi e vetme shpëtimi. Nuk mbetej tjetër. Niste angazhimi rreth rregullimit të visikave. Ndonëse me zemër të thyer. Të gjitha rrugët shpinin në Shkup. Prej aty drejt Anadollit.

* * *

Atëbotë isha gjashtë vjeç. Tek loznim me fëmijët e fshatit, pareshtur e theksonim gëzimin tonë të madh që do të largoheshim nga ky vend. Lavdëroheshim se kush do të nisej i pari. Kush do të arrinte i pari në tokën e premtuar. E mendonim, në imagjinatën e padjallëzuar fëmijërore, parajsë të kësaj bote. Temë preokupuese edhe për ne ishte bërë largimi. Braktisja ishte bërë gjakim. Virusi i shpërnguljes, i braktisjes së këtij vilajeti të vrazhdë, që ‘e paskësh nëmur baba mbret’, kishte infektuar edhe shpirtin e fëmijëve.

*

Zhgënjimi im qe i pafund, kur u mor vesh se ne nuk do të shkonim në Turqi. Babai im, dritë pastë, paskësh thënë, njeriu një herë lind dhe një herë vdes. Vdekja është shumë më e mbarë aty ku ke lindur. Aty ku ke të parët ndër varre. Dëgjoja madje edhe ta lavdëronin babanë tim për ato që kish thënë. Unë disi ia pata marrë inat, ndërkaq. Më bëhej se na kishte privuar nga një kënaqësi e jashtëzakonshme e kësaj bote. Na kishte penguar ta shihnim “xhenetin me sy”, siç propagandohej atëbotë Turqia nga emisarë të shumtë, edhe të racës sonë.

* * *

Pas shumë vjetësh, kur tashmë isha burrëruar, tek më rrëfente miku Xhemajl për peripecitë e jetës muhaxhire në parajsën, që e kishim gjakuar ne fëmijët, dhe jo vetëm, më dukej vetja jo veç fajtor, porse edhe mëkatar. Si bën që njeriu, qoftë edhe fëmija, t’i gëzohet braktisjes së Dheut Mëmë! A ka faj më të rëndë. A ka mëkat më të madh. Në dyqanin e tij në Kapali Çarshi të Stambollit miku vazhdon rrëfimin. I tëri kridhet në ato kujtime të hidhura pelin. As lotët nuk mundet t’i përmbajë. Një gur i rëndë tunxh i rëndon në shpirt. Malli e djeg flakë. Kthim prapa, megjithatë, nuk ka. Janë rritur fëmijët. Janë bërë madje edhe fëmijët e fëmijëve. Për ta Kosova është një emër kuptimi. Nuk është si për të: edhe gëzim edhe pikëllim, edhe dashuri edhe mall, edhe ngushëllim edhe brengë…

* * *

Viruset e kohëve të shkuara për ne duket s’janë zhdukur dot. Janë ruajtur me xhelozi, të konservuara madje edhe në akademi. Sërish po përhapen. Me të njëjtat metoda. Me të njëjta forma. Me të njëjtat mënyra. Me të njëjtin qëllim. Reagimet tona sërish pothuajse të njëjta. Asnjë mësim nga historia. Nuk di në s’ishte ajo mësuese e mirë, apo ne nxënës të dobët. Nuk mësuam gjë. Mbase nuk deshëm të mësonim e nuk po duam të mësojmë.

Në vitet ’90 të shekullit XX sërish kërkoheshin armë. Nga të çarmatosurit. Sërish ‘visika’. Sërish kompozicione drejt tokave të premtuara. Drejt parajsave të kësaj bote. Nuk kursenim gjë për të arritur në to. Jo për të qëndruar në Dheun e të Parëve. Sërish gëzime fëmijësh…

*

Nëse në ato vite të shkuara edhe mund të arsyetohet ajo dyndje nga trojet etnike për shkak të dhunës që ushtrohej mbi ne, si të arsyetohet sot virusi i shpërnguljes që ka infektuar një pjesë të popullatës shqiptare gjithandej trojeve etnike. Braktisja, mjerisht, edhe në shekullin XXI është bërë gjakim. Jo vetëm në Kosovë, madje. Vete njeriu ynë rrugëve të gjera të Evropës e të botës. Atje lë eshtrat. Gjaku ynë tretet larg vatrës. Asimilohet qenia jonë. E jeta, atje s’është jetë. Është vuajtje. Është pikëllim. Është mall. Është torturë. Është brengë. Po këtë sikur vështirë ia pranojmë zëshëm tjetrit. Atij që nga distanca lakmon të panjohurën. Gjakon braktisjen. E lakmon, sepse në mendje e konstrukton ideale atë të panjohur. Idealen gjithkush e gjakon, nëse ekziston fare.

Lumenjtë e shpërnguljes sonë as sot nuk po shterojnë dot. Nga të gjitha anët e tokave arbërore derdhen drejt kontejnerëve e hajmeve të botës…

Kështu duket e kanë nxënësit e këqij. Ata që ende s’janë mësuar të mësojnë nga mësuesja histori.