LAJMI I FUNDIT:

BQK-ja merr vendim për mbylljen e IuteCredit dhe Monego

BQK-ja merr vendim për mbylljen e IuteCredit dhe Monego

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka marrë vendim për revokimin e licencimit për dy institucionet mikrofinanciare “IuteCredit” dhe “Monego”. Këtë e ka bërë të ditur guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në një konferencë për media.

“Sot bordi ekzekutiv i BQK-së, ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të inicioj procedurat e likuidimit për institucionet mikrofinanciare “IuteCredit” dhe “Monego”


Përmes politikës së saj të licencimit BQK në vazhdimësi synon që të ofrojë kushte sa më të mira për qasje në financa në Kosovë, duke mundësuar operimin e tregut financiar vetëm institucioneve financiare që i kontribuojnë stabiliteti dhe zhvillimit financiar. Mbi këtë bazë BQK kishte licencuar edhe këto dy institucionet e lartpërmendura, të cilat përmes dokumentacionit që kishin aplikuar kishin ofruar planet e tyre sesi planifikojnë ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Kosovës”, ka thënë Mehmeti, transmeton Telegrafi.

Ai ka shtuar se gjatë operimit në tregun tonë, këto dy institucione mikrofinanciare aplikuan normë të lartë të interesit në kredi, duke dalë kështu jashtë planit që kishin paraparë.

“Gjatë këtyre viteve të operimit në tregun tonë këto institucione kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencën e operimit në Kosovë, duke i sjellë tregut diçka tjetër nga ajo që kishin premtuar.
Devijimi më shqetësues i tyre është norma e interesit që këto institucione e kanë aplikuar në kredi, të cila kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacion ku kanë aplikuar për tu regjistruar si institucione mikrofinanciare në Kosovë.

Normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione janë jashtë çdo standardi”, u shpreh Mehmeti.

Guvernatori theksoi se BQK është e përkushtuar që të krijojë kushte për rritjen e konkurrencës së shëndosh në tregun financiar, duke mundësuar konkurrencë të drejtë, por nuk do të lejojë operimin e atyre institucioneve financiare që nuk zbatojnë kërkesat rregullative dhe ligjore të vendit. /Telegrafi/