LAJMI I FUNDIT:

BQE: Inflacioni rritet në 1.4%

BQE: Inflacioni rritet në 1.4%

Inflacioni në zonën e valutës së përbashkët është rritur gjatë muajit Mars për shkak të rritjes së kostos së ushqimit dhe shërbimeve, duke ofruar mbështetje për politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane në reduktimin e stimujve monetarë.

Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, vlerësoi se inflacioni në 19 vendet që ndajnë euron arriti në 1.4 për qind gjatë muajit Mars me bazë vjetore, në rritje nga 1.1 për qind që ishte në Shkurt dhe në linjë me projeksionet.


Edhe nëse niveli i çmimeve qëndron poshtë objektivit të institucionit në pranë 2 për qind, politikëbërësit po debatojnë mbi përfundimin e skemës së blerjes së obligacioneve prej 2.55 trilionë euro. Guvernatori i Bankës së Austrisë, Ewald Nowotny, tha javën e kaluar se BQE me shumë mundësi do të vendosë këtë verë për të shkurtuar blerjen e obligacioneve.

Komponenti i ushqimit të papërpunuar u rrit me 0.9 për qind në Mars, krahasuar me 0.9 për qind rënie gjatë Shkurtit. Pashkët kanë rritur gjithashtu çmimet e paketave të pushimeve për Marsin. Komponenti i shërbimeve u rrit me 1.5 për qind nga 1.3 për qind që ishte në Shkurt. Energjia pati rritje me 2 për qind, në rënie të lehtë nga muaji i kaluar. Inflacioni bazë, që heq energjinë dhe ushqimet, u rrit ne 1.3 për qind nga 1.2 për qind që ishte në Shkurt.

Eurostat publikoi edhe të dhënat për papunësinë në Eurozonë, që u regjistrua në nivelin më të ulët në 9 vite për Shkurtin, në 8.5 për qind. Numri total i të papunëve ra me 141,000 në 13.9 milionë njësi. /Telegrafi/