LAJMI I FUNDIT:

Borxhi Publik në Shqipëri shënon rekord historik

Borxhi Publik në Shqipëri shënon rekord historik

Ministria e Financave e Shqipërisë raporton se Borxhi Publik vlerësohet të ketë arritur në 80.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto më 2021, duke shënuar një rekord gjatë periudhës së tranzicionit.

Borxhi në këto nivele u rrit pas emetimit të një Eurobondi me vlerë 650 milionë euro në fund të vitit të kaluar.


Të dhënat makroekonomike tregojnë se, Borxhi Publik në vlerë pritet të arrijë mbi 1.34 trilion lekë me një shtesë 124 miliardë lekësh [1 miliard euro] në raport me vitin e pandemisë COVID-19.

Borxhi i ri i formuar këtë vit është mbi 20 për qind e të ardhurave buxhetore të pritshme gjatë vitit 2021.

Me herët gjatë vitit 2021, Banka Botërore lajmëroi se rritja e Borxhit Publik të Shqipërisë në rekorde historike do të ulë aftësinë e Qeverisë për të shpenzuar në projekte investimesh apo drejtime të tjera pas vitit 2021. /Ora News/