Guvernatori Ismaili fton qytetarët të marrin pjesë në konsultimin publik të BQE-së për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në konsultimin publik të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) për përzgjedhjen e dizajnit të ri të serisë së kartëmonedhave euro.
BQE ka prezantuar propozimet e përzgjedhura për dizajnin e kartëmonedhave të ardhshme euro dhe ka hapur procesin e konsultimit publik, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të shprehin preferencat e tyre për dizajnin fitues.
Guvernatori Ismaili theksoi se kjo nismë ka rëndësi të veçantë edhe për qytetarët e Kosovës, pasi euro është valuta zyrtare e Republikës së Kosovës dhe pjesë e përditshmërisë së tyre.
"Edhe pse Kosova nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian dhe e eurozonës, vendi ynë po avancon në rrugën e integrimit evropian përmes reformave të rëndësishme, përfshirë modernizimin e sistemit të pagesave dhe procesin e integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Prandaj, është me rëndësi që qytetarët tanë të informohen dhe të përfshihen në iniciativa që lidhen me valutën që përdorim çdo ditë", u shpreh guvernatori Ismaili në njoftim në Facebook.
Ai i inkurajon qytetarët e Kosovës që të njihen me propozimet e reja të dizajnit dhe të ndjekin procesin e përzgjedhjes së dizajnit fitues, i cili pritet të shpallet në fund të këtij viti.
"Ky konsultim nuk është vetëm një mundësi për të shprehur një preferencë për dizajnin e ardhshëm të kartëmonedhave euro, por edhe një rast i mirë për të rritur njohuritë dhe edukimin financiar lidhur me valutën që përdorim në jetën tonë të përditshme", ka përfunduar guvernatori i BQK-së.
Qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në konsultimin publik të organizuar nga BQE mund ta bëjnë këtë përmes platformës së dedikuar në adresën: https://surveys.ecb.europa.eu/10b/banknotes/share



































