LAJMI I FUNDIT:

Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës publikon raportin e punës dymujore

Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës publikon raportin e punës dymujore

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës, ka publikuar sot raportin e punës dymujore.

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Postës ka thënë se pikat kryesore të planit të veprimit të Bordit janë: Përditësimi i Rregullores dhe Statutit për IFJB-të; Vendosja e rregullsisë në rregulloret për staf;  Analizim dhe Identifikim i humbjeve në zyrat postare të marra me qira; Rishikimi i Planit të auditimit për vitin 2020; Rishikimi i Planit të Biznesit për vitin 2020 për shkak të rrethanave me COVID-19; Inicimi i ristrukturimit; Hartimi i Strategjisë Afatgjate për Zhvillim të Ndërmarrjes 2021-2025


Më poshtë gjeni raportin e plotë të publikuar nga Bordi I Përkohshëm të Drejtorëve të Postës së Kosovës.

Raport i shkurtër informues për periudhën Prill – Maj 2020 nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të NP Posta e Kosovës Sh.A.

Reduktime në shpenzime nga Bordi: Duke pasur parasysh gjendjen financiare në të cilën gjendet Posta e Kosovës Sh.A., Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve ka refuzuar marrjen në shfrytëzim të veturës dhe kompensimit të derivateve të naftës, si dhe ka udhëzuar Menaxhmentin që ta përdorë veturën vetëm për nevoja të ndërmarrjes. Gjithashtu, Bordi i Përkohshëm nuk ka vazhduar praktikën e shfrytëzimit të mbushjeve telefonike, marrjen e bonuseve, apo shfrytëzimit të sigurimeve shëndetësore për anëtarë të Bordit.

Reduktime në shpenzime nga Zyrtarët e lartë të Menaxhmentit: Në pajtim dhe koordinim me zyrtarët e lartë të ndërmarrjes, kemi zbritur pagat për këta 4 zyrtarë të lartë prej 30% që ka ndihmuar të kemi një kursim prej 2,640.00 euro në muaj. Është limituar përdorimi i veturave zyrtare jashtë orarit të punës, vetëm me autorizim nga Menaxhmenti. Gjithashtu janë limituar mbushjet post paid dhe anulimi i kompensimit të derivateve të naftës për vetura private të Menaxhmentit.

Reduktime në shpenzime nga IFJB-të: Reduktim për 4,430.00 euro në muaj nga kompensimi i anëtarëve të IFJB-së. Ky reduktim është iniciuar nga Sh. Sindikale e Punëtorëve.
Zyrat Postare me qira kanë pasur një humbje të përgjithshme, prej 47,211.11 euro për vitin 2019. Janë identifikuar 11 objekte që operojnë me humbje, prej tyre 8 objekte operojnë me humbje mbi 50% vjetore. Për të gjitha këto janë iniciuar kërkesa tek Menaxhmenti që të identifikoi shkaktarët e operimit me humbje.

Kontratat: Gjatë kësaj periudhe janë nënshkruar 4 kontrata të reja për ofrim të shërbimeve nga Ndërmarrja, 33 kontrata janë vazhduar, 3 kontrata janë në negocim, si dhe kemi arritur të sigurojmë një donacion nga Swiss FDFA për pajisje të IT-së për “Postën Mobile”, me qëllim që të jemi të pranishëm sa me afër qytetarëve në zona banimi të regjioneve ku nuk kemi zyre postare.

Rritja e numrit të pagesave: Janë ndërmarr aktivitete shtesë nga Menaxhmenti dhe stafi me qëllim të shtrirjes së shërbimeve, “Postës Mobile” për të qenë me afër qytetarëve, punës me orar të zgjatur, punës në ditë festa dhe vikende. Falë angazhimit të stafit në muajin maj është ngritur niveli i pagesave në 51%, krahasuar me muajin prill që ishte vetëm 23%.

Rregulloret dhe organizimi i stafit: Është identifikuar mungesa e përshkrimit të gradave në rregulloren për sistematizimin dhe përshkrimin e vendeve të punës në nivel regjional. Paqartësi janë gjetur edhe në rregulloren dhe statutin e IFJB-së, ku është rekomanduar inicimi i hartimit të një rregulloreje të re.

Rregullorja për deklarim të konfliktit të interesit: Sindikata e punëtorëve ka bërë kërkesë për identifikim të konfliktit të interesit dhe nepotizmit, pastaj Bordi ka iniciuar tek Menaxhmenti hartimin e rregullores për konflikt të interesit dhe nepotizmit në Ndërmarrje.

Ristrukturimi i Ndërmarrjes: Duke marrë për bazë trendet e zhvillimit të shërbimeve postare, zhvillimit të teknologjisë, zgjerimit të shërbimeve, rritjes së portfolios, reduktimit të humbjeve, vërja në pikëpyetje e kapaciteteve të Postës për shërbime potenciale, ka ardhur deri tek ideja e inicimit të ristrukturimit të Ndërmarrjes.

Pikat kryesore të planit të veprimit të Bordit janë:

1. Përditësimi i Rregullores dhe Statutit për IFJB-të,
2. Vendosja e rregullsisë në rregulloret për staf,
3. Analizim dhe Identifikim i humbjeve në zyrat postare të marra me qira,
4. Rishikimi i Planit të auditimit për vitin 2020,
5. Rishikimi i Planit të Biznesit për vitin 2020 për shkak të rrethanave me COVID-19,
6. Inicimi i ristrukturimit
7. Hartimi i Strategjisë Afatgjate për Zhvillim të Ndërmarrjes 2021-2025  /Telegrafi/