LAJMI I FUNDIT:

BMW M shitje rekorde prej 200 mijë veturave në vitin 2023

BMW M shitje rekorde prej 200 mijë veturave në vitin 2023

Divizioni M i BMW i dedikuar veturave me performancë të lartë vendosi një rekord të ri për shitjet globale në vitin fiskal 2023.

BMW M shiti më shumë se 200 mijë automobila për herë të parë në historinë e saj, më saktë, 202,530 automjete u dorëzuan klientëve në mbarë botën. Kjo është një rritje prej 14.3 për qind krahasuar me një vit më parë, dhe SHBA ishte edhe një herë tregu individual më i rëndësishëm për BMW M përpara Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.


Modeli i parë tërësisht elektrik i markës, BMW i4 M50, ishte një bestseller. Dy modele të tjera elektrike u prezantuan vitin e kaluar, përkatësisht BMW i5 M60 xDrive Sedan dhe BMW i7 M70 xDrive.

Modeli me katër rrota, i5 M60 xDrive i përmendur, është në fakt një sedan që jep 442 kW, pra 601 kuaj/fuqi, që do të thotë se është modeli më i fuqishëm i serisë së re BMW 5.

BMW i7 M70 xDrive, flamuri i Serisë 7, është makina elektrike më e fuqishme e BMW, që zhvillon 485 kW ose 660 kuaj/fuqi dhe 1,015 Nm çift rrotullues.

Gjithashtu, BMW XM plug-in hibrid SUV u shfaq si një “kampion i performancës” duke qenë se Label Red ofron 748 kuaj/fuqi.

Gjenerata e dytë e modelit M2 gjithashtu kontribuoi në shitjet rekord, ndërsa BMW M3 CS i ri purist gjithashtu u prit me entuziazëm.

E njëjta gjë vlen edhe për modelet e njohura M3 dhe M4. Sedani M3 ishte vetura sportive më e shitur në botë me performancë të lartë në vitin 2023, e ndjekur nga M4 Coupe. BMW ka tërhequr blerësit me një kombinim të performancës së denjë për pista dhe komoditetit në drejtimin e përditshëm.

BMW M do të zgjerojë gamën e saj këtë vit me versione të reja të modeleve M3, M3 dhe M2, prezantimin e modelit M4 CS, si dhe prezantimin e modelit të ri M5 i cili do të jetë i disponueshëm si sedan dhe Touring (vagon).

Duhet thënë se BMW M është gati për një rikthim historik në Kampionatin Botëror të Qëndrueshmërisë FIA (WEC), dhe kulmi i sezonit do të jetë rikthimi në garën 24 orë të Le Mans 25 vjet pas fitores së përgjithshme të arritur nga BMW V12 LMR. BMW do të konkurrojë me modelin e saj të ri M Hybrid V8, i cili përfundoi me sukses sezonin e tij të parë në serinë e qëndrueshmërisë IMSA të Amerikës së Veriut vitin e kaluar. /Telegrafi/