LAJMI I FUNDIT:

BE i blen Ukrainës një milion copë municione për 500 milionë euro

BE i blen Ukrainës një milion copë municione për 500 milionë euro

Bashkimi Evropian do të furnizojë Ukrainën me një milion copë municione në 12 muajt e ardhshëm, tha të hënën komisioneri për tregun e brendshëm Thierry Breton në Parlamentin Evropian.

Në gjashtë javët e fundit, komisioneri i Komisionit Evropian vizitoi 15 fabrika në 13 vende, për të mësuar rreth sfidave dhe nevojave të industrisë së prodhimit të municioneve në Evropë, dhe për ta zgjeruar dhe përshpejtuar atë, tha ai në seancën plenare në Strasburg.


“Jam i bindur se në 12 muaj, me mbështetjen e duhur, realisht mund të sigurojmë prodhimin e një milion copë municionesh në vit”, tha komisioneri, duke shtuar se krerët e shteteve të BE-së kanë marrë përsipër të sigurojnë një sasi të tillë municioni për Ukrainën vitin e ardhshëm, transmeton Telegrafi.

Ai tha se kapacitetet aktuale nuk janë në përputhje me nevojat ekzistuese, por se ekziston një vullnet real për forcimin e tyre.

Inteligjenca britanike: Rusia rekruton punëtorë emigrantë nga Azia Qendrore, u ofron shtetësi dhe pagë mbi 4,000 dollarë
Lexo po ashtu Inteligjenca britanike: Rusia rekruton punëtorë emigrantë nga Azia Qendrore, u ofron shtetësi dhe pagë mbi 4,000 dollarë

Komisioni Evropian do të sigurojë 500 milionë euro nga buxheti për këtë qëllim dhe pret që së bashku me partneritetet publike, kjo të gjenerojë gjithsej 1 miliard euro ndihmë.

Breton paralajmëroi se lufta po zhvillohet përmes kapaciteteve prodhuese dhe se Evropa duhet të tregojë “besueshmëri” këtu.

Akti i propozuar i Komisionit për të mbështetur industrinë mban akronimin interesant ASAP (Akti në Mbështetjen e Prodhimit të Municioneve), i cili përdoret shpesh në gjuhën angleze që do të thotë “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Të hënën, Breton u kërkoi përfaqësuesve të Parlamentit Evropian që ta mbështesin në votimin e së martës. /Telegrafi/