LAJMI I FUNDIT:

Biznesmenët në Maqedoni kërkojnë zyra rajonale për biznes (Video)

Biznesmenët në Maqedoni kërkojnë zyra rajonale për biznes (Video)

Biznesmenët e Strumicës kërkojnë animim më të madh nga ekipi qeveritar për ekonomi dhe hapje të zyrave rajonale për biznes ku do të munden të konsultohen për shfrytëzimin e fondeve të huaja dhe të vendit për zhvillimin e biznesit. Për këtë vit në dispozicion kanë 70 milionë euro për investime të reja dhe zhvillimin e konkurrencës. Nga sektori i biznesit të Strumicës thanë se arsyeja për interesimin e dobët është informimi i pamjaftueshëm në lidhje me fondet.

“Nuk bëhet fjalë për dokumentacionin edhe pse ka shumë për të rregulluar, këtë e kërkojnë edhe rregullativat evropiane. Kompanitë tona të vogla dhe të mesme nuk kanë kapacitet institucional që vetë ta zgjidhin atë, andaj duam që zyrat e këtilla të jenë shërbim dhe t’u ndihmojnë bizneseve të vogla në përgatitjen e elaborateve”, u shpreh Mile Millanoviq, biznesmen nga Strumica.


Kryeministri Zoran Zaev së bashku me zv/kryeministrin Koço Angjushev zhvilluan takime me bashkësinë e biznesit të Strumicës. Ai tha se këtu ka potencial të madh për zhvillimin e kompanive. Ai pret që të shfrytëzohen të gjitha të hollat që do të sigurohen përmes fondeve të vendit.

“T’i inkurajojmë të hyjnë në aktivitete të reja të biznesit që do të thotë më shumë eksport, më shumë tregti, prodhime të reja dhe shërbime. Mundësitë që i ofron shteti janë të mëdha, ndërsa me integrim në NATO dhe BE ato mundësitë do të shtohen. Vendet fqinje me fondet që i hapën krijojnë mundësi shtesë për vendin, posaçërisht për pjesën jugore për shkak të fondeve greke dhe për pjesën lindore për shkak të fondeve bullgare. Besoj se do të jetë mirë që qytetarët ta përdorin këtë mundësi”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Sipas Angjushevit, janë inkurajuese të dhënat e fundit për prodhimtarinë industriale në tremujorin e parë të vitit.

“Do të them se na inkurajojnë numrat e mira, me informacionet e djeshme nga statistika shihet se rritja e prodhimtarisë industriale në tremujorin e parë të vitit 2019 në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2018 është 8,8% që është rritje shumë e madhe për një tremujor në vitet e fundit. Kështu që, kjo na jep bazë të shpresojmë dhe të presim se BPV i përgjithshëm në tremujorin e parë do të ketë rritje dhe numra të larta”, potencoi zv/kryeministri Koço Angjushev.

Vitin e kaluar, dhjetëra kompani të Strumicës kanë shfrytëzuar mjete financiare përmes këtyre programeve, gjë që sipas zyrtarëve është mirë, por nuk është e mjaftueshme./Tv21/