LAJMI I FUNDIT:

Bislimi nuk e sheh opsion tërheqjen e parave nga Trusti: Në Kosovë, asnjëherë më shumë se tash nuk ka pasur para “cash”

Bislimi nuk e sheh opsion tërheqjen e parave nga Trusti: Në Kosovë, asnjëherë më shumë se tash nuk ka pasur para “cash”

Ish-ministri i Financave nga radhët e LVV-së, Besnik Bislimi thotë se kjo parti është kundër Ligjit për rimëkëmbje ekonomike pasi sipas tij ky ligj nuk ka asnjë element brenda që do të mund ta ringjallte ekonominë e vendit.

Bislimi thotë se Avdullah Hoti nuk po mund të merr as mbështetjen e partnerëve të tij të koalicionit për këtë ligj e lëre më ta ketë atë të Vetëvendosjes.


Duke folur për pikën ku parashihet tërheqja e 10% të parave të Trustit, Bislimi thotë se qytetarët do të përfitonin shumë pak.

“Rimëkëmbja ekonomike është rimëkëmbje e prodhimit. Nuk mund ta zgjidhësh këtë problem duke ua mundësuar disa personave të tërheqin 200 milionë euro. Në Kosovë prej se ekzistojnë statistikat para “cash” kurrë nuk ka pasur më shumë se që ka sot. Pyetni bankat, depozitat asnjëherë nuk kanë qenë mbi 4 miliardë euro sa janë tash. Problemi është se njerëzit kanë frikë t’i fusin paratë në qarkullim”, deklaroi ai në “Debat Plus”.

“Nëse tash njerëzve iu jep para ata vetëm do t’i rrisin kursimet. Prej këtyre 200 milionë eurove shumica e tyre shkojnë të njerëzit që kanë pagën e madhe”, tha më tej Bislimi në RTV Dukagjini.

Bislimi thotë se shteti me buxhetin e vet duhet të synojë ta rrisë ekonominë e jo me paratë e qytetarëve që i marrin nga Trusti./Telegrafi/