Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë ka folur për planin franko-gjerman, çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e rastin në Shtërpcë.

Bislimi në një intervistë për Euronews në Serbi ka thënë se edhe pse ishte premtuar për në nëntor një takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq për planin franko-gjerman një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Zëvendëskryeministri nuk ka dashur të jap detaje lidhur me planin franko-gjerman, megjithatë theksoi se plani ‘de jure’ e mbështet qëndrimin e Serbisë se nuk duhet të ketë njohje reciproke në këtë periudhë.

Reklama

“E përsëris, ne nuk duhet t’i ekspozojmë elementet e dokumenteve, por nëse fokusohemi në elementet ‘de jure’, atëherë mund të themi se dokumenti mbështet qëndrimin e Serbisë ku aktualisht nuk ka kushte për njohje reciproke”, citohet të ketë thënë Bislimi.

Reklama

Ai po ashtu ka komentuar edhe nëse fundi i marsit është afati i caktuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti për marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës.

Bislimi ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke thënë se lista e marrëveshjeve që Serbia nuk i ka zbatuar është dyfish më e gjatë se marrëveshjet që nuk i ka zbatuar Kosova.

Reklama

Tutje është përgjigjur edhe lidhur me incidentin në Shtërpcë ku u plagosën dy serbë.

Ai shtoi se ky incident mori një publicitet të madh, transmeton Telegrafi.

“Incidenti që ndodhi në Shtërpcë mori një publicitet të madh. Nuk është raportuar vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe më gjerë, gjë që tregon dy gjëra: ndjeshmërinë e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë dhe pritjet për mbrojtjen e pakicave në Kosovë. Kjo tregon për standardet e larta që i janë vendosur Kosovës.

Reklama

Një incident i tillë merr kaq shumë vëmendje mediatike dhe për shembull, nuk më kujtohet që institucionet tuaja të kenë raportuar ndonjëherë për Nezir Memetajn, i cili ka më shumë se dy vjet në burgun serb dhe është krejtësisht i pafajshëm. Të gjithë e dinë këtë. Ai ka më shumë se dy vite në paraburgim në bazë të një fotografie të vitit 1999. Serbia pretendon se ai është në atë foto, ndërsa burri nga Kosova tha se ai nuk është në atë foto.

Reklama

Nga Serbia nuk ka pasur asnjëherë raportime për 20-30 shqiptarë të Kosovës që aktualisht ndodhen në burgun shtetëror në Nish, sepse me sa duket askush nuk pret që Serbia të respektojë të drejtat e pakicave. Mirëpo, pritshmëritë nga ana e Kosovës janë aq të mëdha sa edhe për një incident i tillë, ku dikush përballet me një rrugë të bllokuar dhe qëllon në asfalt…por të gjithë e dënojmë, të gjithë jemi të lumtur që personi është arrestuar dhe ne duam që sistemi ligjor të marrë një vendim që i takon”, është shprehur Bislimi. /Telegrafi/

Reklama