LAJMI I FUNDIT:

Bisedimet mes talebanëve dhe përfaqësuesve perëndimorë dhe afganë po zhvillohen në Norvegji

Bisedimet mes talebanëve dhe përfaqësuesve perëndimorë dhe afganë po zhvillohen në Norvegji

Një delegacion taleban i kryesuar nga ministri i Jashtëm në detyrë Amir Khan Muttaqi të dielën filloi bisedimet treditore në Oslo me zyrtarë të qeverisë perëndimore dhe përfaqësues të shoqërisë civile afgane në mes të një situate të përkeqësuar humanitare në Afganistan.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, takimet me dyer të mbyllura po zhvillohen në një hotel në malet e mbuluara me borë mbi kryeqytetin norvegjez.


Dita e parë do të shohë përfaqësuesit e talebanëve të takohen me aktiviste të të drejtave të grave dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut nga Afganistani dhe nga diaspora afgane.

Para bisedimeve, zëvendësministri i kulturës dhe informacionit i talebanëve postoi një mesazh zanor që ai tha se ishte nga Muttaqi, duke shprehur shpresën për “një udhëtim të mbarë plot arritje” dhe duke falënderuar Norvegjinë, një vend që ai tha se shpreson të bëhet “një portë për një marrëdhënie pozitive me Evropën”.

Udhëtimi është hera e parë që kur talebanët morën kontrollin mbi vendin në gusht që përfaqësuesit e tyre kanë mbajtur takime zyrtare në Evropë.

Më herët ata kanë udhëtuar në Rusi, Iran, Katar, Pakistan, Kinë dhe Turkmenistan.

Gjatë bisedimeve, Muttaqi me siguri do të bëjë presion mbi kërkesën e talebanëve që afro 10 miliardë dollarë të ngrira nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore të lirohen pasi Afganistani përballet me një situatë të pasigurt humanitare.

Kombet e Bashkuara kanë arritur të sigurojnë pak likuiditet dhe kanë lejuar administratën e re të paguajë për importet, duke përfshirë energjinë elektrike, por paralajmëroi se deri në 1 milion fëmijë afganë janë në rrezik të vdesin nga uria dhe shumica e 38 milionë njerëzve të vendit jetojnë poshtë kufirit të varfërisë.

Ministria e Jashtme Norvegjeze tha se delegacioni i talebanëve do të takohet gjithashtu me afganët në Norvegji, duke përfshirë “gratë udhëheqëse, gazetare dhe njerëz që punojnë, ndër të tjera, me të drejtat e njeriut dhe çështje humanitare, ekonomike, sociale dhe politike”.

Një delegacion i SHBA-së, i kryesuar nga Përfaqësuesi Special për Afganistanin, Tom West, planifikon të diskutojë “formimin e një sistemi politik përfaqësues; përgjigjet ndaj krizave urgjente humanitare dhe ekonomike; shqetësimet e sigurisë dhe kundër terrorizmit; dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht arsimi për vajzat dhe gratë”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së. /Telegrafi/