Bisedime teknike për lëshime politike!

Mazohizmi si inspirim, sadizmi si qëllim:
Isha dëshmitar, siç thuhet okular kur forca të shumta të policisë së EULEX-it hynë në banesën e familjes Limaj gjë gjendej përballë kinemasë ABC, në qendër të qytetit! Kishte shumë gazetarë dhe kalimtarë të rastit të shndërruar në kureshtarë. Askush nuk e dinte në fakt se çka po ndodhë.
Një gazetar, pasi më pa më pyeti se mos këto forca policore i kanë mësyrë zyrave të KMDLNj-së në përpjekje të arrestimit të Albin Kurtit! Ishte një cinizëm dhe provokim në të cilën e pata përgjigjen e menjëhershme se këto forca janë këtu për ta bastisur banesën e familjes Limaj.
Në ndërkohë kisha informatën se forca të shumta të EULEX-it i kishin mësyrë shtëpisë ku banon Fatmir Limaj në lagjen Janina si dhe MTPT gjithashtu në qendër të qytetit, ministër i së cilës është z. Limaj.
Çka më bëri përshtypje gjatë kësaj bastisjeje ishte tendosja e atyre që prisnin dhe një qëndrim irracional ndaj kësaj ngjarjeje! Pritnin njerëz të prangosur dhe disi u ndanë shumë të zhgënjyer pse nuk e panë Fatmir Limajn , të prangosur dhe të lidhur me zinxhir, duar dhe këmbë! Pastaj filluan debatet.
Në ndërkohë, në selinë e Qeverisë së Kosovës mbaheshin takime të (lakuriqëve) të natës ku merrnin pjesë zyrtarët e lartë ndërkombëtarë dhe vartësit e tyre, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, së “pavarur” dhe “sovrane”! Duket se Udha e Krishtit drejt kryqëzimit dhe pas tij mund të llogaritet si piknik krahasuar me vuajtjet që i kanë kaluar përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës në atë mbrëmje!
Në fund, para kamerave doli (apo e kishin detyruar të dalë) ministri i bastisur dhe i shastisur, z. Fatmir Limaj duke i thënë disa fjalë që ngatërroheshin shumë! Pas kësaj mbretëroi një heshtje mortore! Nuk u dëgjuan fare zërat e Institucioneve të Kosovës me përjashtim të prononcimit të zëvendëskryeministrit, z. Ramë Manaj, i cili, po të mos përmendej EULEX-i fitohej përshtypja se po flet për gjendjen në Afganistan!
Institucionet e Kosovës është dashur t’i përmbahen parimit juridik se askush nuk duhet të shpallet fajtor deri sa nuk dënohet në formë të prerë nga gjykata përkatëse dhe në këtë kontekst të reagojnë e jo të heshtin si peshqit e Liqenit të Bajkalit!
Në këtë “spektakël” siç më vonë e kanë cilësuar politikanët e opozitës, pozitës dhe shoqërisë civile, më të pandershmit kanë qenë ata të opozitës dhe shoqërisë civile! Prej pozitës nuk është pritur më shumë sepse ka qenë palë e “dëmtuar” ngase është zhvirgjëruar paprekshmëria e tyre dhe imuniteti ad hoc me të cilin i kanë pajisur ndërkombëtarët! Ky imunitet ka kohëzgjatjen për aq sa ndërkombëtarët kanë nevojë për politikanët tanë. Ky lloj imuniteti i ishte premtuar edhe Karaxhiqit dhe ku është tani?!
Opozita nuk ishte e kënaqur me këtë bastisje por kërkonte koka tjera, prej Hashimit e deri te presidenti! Ata kërkonin që të gozhdohet kjo qeveri ndërkaq që harrojnë se, edhe ata kur kanë qenë në pushtet, kanë vjedhur majtas dhe djathtas, para dhe mbrapa, gjithkund ku ka pasur hapësirë!
Disa medie haptasi kërkojnë arrestimin e Fatmir Limajt, disa të tjera e marrin në mbrojtje duke e paragjykuar procesin e hetimeve dhe duke bërë presion te organet e ndjekjes! Haptasi e demonstrojnë mentalitetin gjenetik të denoncimit, spiunllëkut pa para duke kërkuar nga EULEX-i të mos bëjë spektakle por të veprojë!
O të mjerë! Korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovën e pasluftës e kanë mbjellë ndërkombëtarët,e kanë ujitur ndërkombëtarët, e kanë fuqizuar ndërkombëtarët dhe e kanë mbrojtur me veprime politike ndërkombëtarët! Dikur UNMIK-u, tash EULEX- dhe disa diplomatë me shumë ndikim në Kosovë! Ata ju kanë lejuar juve të vidhni kur ishit në pushtet, ata i lejojnë këta sot të vjedhin!
Nuk ka këtu ndonjë dallim, apo jo?! Nëse po u hyjnë nëpër zyra dhe shtëpi këtyre që sot janë në pushtet, hapini vullnetarisht dyert tuaja që të hyjnë më lehtë dhe që shqetësimi të jetë më i vogël! Për dëme materiale mos kini merak sepse nuk i keni të djersës dhe të babës por keni vjedhur si në bahçe të babës!
Ishte një artikull i mrekullueshëm i Ilir Mirenës sot në gazetën Ekspress i cili në mënyrë shumë më inteligjente se unë e trajton këtë temë. Sikur që krimet e komunizmit nuk mund të trajtohen si raste të izoluara por duhet të dënohen si një periudhë, as korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë nuk mund të trajtohet si një rast i izoluar por duhet të hetohet periudha 1999-2010 dhe të hetohen, në radhë të parë ndërkombëtarët e pastaj vendorët, pa përjashtim!
Të gjithë e dimë se në Kosovë korrupsioni është shndërruar në shenjë identifikimi, mënyrë të jetës! Këtu nuk ka dilema! Dhe se duhet të luftohet nuk ka asnjë dilemë shkaku se po e gërryen ardhmërinë tonë. Mirëpo, sponsorët e korrupsionit, ndërkombëtarët nuk kanë pasur vullnet ta luftojnë deri tani! Se ç’do të ndodhë në të ardhmen, e shohim! Pa asnjë dyshim se do të luftohet edhe korrupsioni edhe krimi organizuar, si në Shqipëri, Kroaci, Serbi dhe shtetet e tjera!
Asnjëherë lufta kundër korrupsionit nuk do të jetë e suksesshme nëse nuk konfiskohet pasuria e paligjshme. Ndryshe, do ta kemi sindromën e Bakijevit të Kirgizisë edhe në Kosovë, që nënkupton se nëse u garantohet siguria dhe imuniteti nga ndjekja penale atëherë janë të gatshëm të heqin dorë nga posti!
Vullnetarisht asnjë politikan në Kosovë, qoftë në nivelin lokal apo qendror nuk heq dorë nga posti posaçërisht në raste të inkriminimit ngase mbijetesën politike e lidhin me imunitet para ligjit! Të tillë janë disa ministra në qeverinë aktuale por edhe ata të opozitës, të cilët aq shumë kohëve të fundit po kërkojnë “ drejtësi” në luftë kundër korrupsionit!
Një fjalë e popullit thotë:” ngrehë një kashtë, dalin gjashtë”. Kështu me gjasë do të ndodhë edhe në Kosovë. Para disa muajve pata dëgjuar për mundësinë që Fatmiri të azilohet si diplomat në një vend mik dhe se për këtë e paskan dhënë pëlqimin edhe disa” miq” ndërkombëtarë!
Një miku tim i pata thënë se kjo nuk mund të ndodhë assesi dhe se ndërkombëtarët vetëm po e testojnë injorancën tuaj dhe se po e forcojnë dyshimin se vërtet punët janë të pista! Duket se pata të drejtë ndryshe nëse ka qenë punë e kryer pse do ndodhte bastisja në çastin kur duhej të merrej vendimi! Me mend shaka nuk ka! Aq sa nuk ka kufij për dije, nuk ka as për budallallëk!
Broduej, ah Broduej, spektakël ah spektakël:
Bastisjen e EULEX-it tash të gjithë po e konsiderojnë spektakël dhe kjo nuk po u pëlqen pasi nuk qenkan pyetur për këtë dhe se u qenka cenuar nderi dhe integriteti institucional! Valla, keq kanë bërë që nuk i paskan pyetur? Po kush ju pyet more kur nuk e keni bërë asnjëherë përpjekje për frenim dhe kundërshtim?! Keni qenë si uji, si djathi me vrima!
Kur është fjala te spektakli, më duhet të them se ne jemi kronikisht të varur nga spektakli, nuk mund të jetojmë pa të, e kemi në vend të ajrit! Asnjë veprim që e bëjmë nuk mund e mos ta shndërrojmë në spektakël, që nga lindja deri në vdekje! Dikush e bënë spektaklin për promovim dhe përfitim personal, në njërën anë dhe për denigrim dhe pushkatim të kundërshtarit, në anën tjetër! Edhe ndjenjat kanalizohen në bazë të asaj që e theksova më lart!
Bëhej spektakël kur arrestohej Adem Demaçi dhe ata “hajnat e pulave” që e kundërshtonin vëllazërim-bashkimin dhe bashkëjetesën në robëri! Bëhej spektakël kur vinte shoku Tito në Kosovë! Bënte spektakël edhe diktatori Enver Hoxha në Shqipëri kur e shpallte Mehmet Shehun spiun të 40-fishtë! Bëhej spektakël kur në Prekaz vritej “katundari dhe njeriu i Serbisë”, Adem Jashari prandaj njeriu i spektakleve organizonte zgjedhje të “lira” në Prishtinë!
Bëhej spektakël me Rambujenë dhe bëhej spektakël kur botërisht pushkatohej në media Baca Adem si kundërshtar i kësaj konference! Bëhej spektakël kur ushtarët e UÇK-së parakalonin rrugëve të Prishtinës të ç’armatosur dhe kur pushkët i zëvendësonin me lopata! Bëhej spektakël në bisedimet në Vjenë kur i hapëm këmbët pastaj ankoheshim se na kanë futur diçka midis tyre! Bënim spektakël kur arrestoheshin ish ushtarët e UÇK-së dhe dënoheshin për “krime” lufte në ndërkohë që kriminelët serbë” iknin” nga Burgu i Mitrovicës!
Bënim spektakle kur luanim rolin e atyre që marrin vendime në kohën kur UNMIK-u na shalonte kur kishte dëshirë! Bënim spektakle se jemi të pavarur dhe sovran në kohën kur asgjë nuk mund të vendosim për fatin tonë! A nuk ishte spektakël aksioni i Bajram Rexhepit dhe Behar Selimit te Varret e Qytetit kur në përpjekje të arrestimit të Albin Kurtit i zhdëpën me dru pjesëmarrësit në varrim të Ali Aliut – Preshevës?
Po bëjmë spektakle duke vozitur vetura qindramijra eurosh duke menduar se po faktorizohemi! Po bëjmë spektakle me politikanët që vijnë në punë me kolona të veturave që do t’ua kishte lakmi edhe Barak Obama! Në kohën kur së paku 70% e qytetarëve të Kosovës janë në asistencë sociale, presidenti i saj vjen në punë me së paku 6 vetura, kryesisht të blinduara!
A nuk edhe ky spektakël dhe çfarë lidhje ka kjo me moralin?! Benzina derdhet si lum për nevoja të eskortës së presidentit dhe zyrtarëve të tjerë në kohën kur nuk ka ujë të mjaftueshëm as për ta shuar etjen dhe për t’u pastruar!
Spektakli i fundit , që është bërë me porosi dhe që e pëlqejnë shumë ndërkombëtarët dhe jo një numër i vogël i politikanëve të vendit është gjuetia e organizuar kundër Albin Kurtit! Prandaj, ju që jetoni për spektakle dhe nga spektaklet, durojeni edhe këtë spektakël të bastisjes dhe bastisjeve që do të ndodhin! Dhe jo vetëm bastisjeve, shpresoj shumë.
Atyre që nuk kanë ra në kundërshtim me ligjin Ju uroj shëndet dhe jetë pa brenga ndërsa për ata që kanë rënë në kundërshtim me ligjin kompetent për shëndetin dhe jetën e tyre është dikush tjetër!
Diçka për titullin:
Bashkësia ndërkombëtare i ka urdhëruar politikanët e vendit që të hyjnë në bisedime “teknike”me Serbinë. Kjo nismë ka qenë e Beogradit dhe po materializohet nga “miqtë”ndërkombëtarë. Si shkues për Veriun Brukseli e ka caktuar ambasadorin Italian Giffoni ndërsa institucionet tona Ylberin! U mbytën duke punuar! Janë bërë për t’i vajtuar Eqrem Kryeziu. Sikur që e vajtoi largimin e Melit nga LDK-ë!
Serbia po i pranon këto bisedime “teknike” të cilat “gabimisht” po i quan si politike. Nëse i besohet Skendës! Duket se Skendës i është rritur pak si tepër adrenalina! Diçka në këtë mes nuk po më duket shumë e qartë sepse nuk po e di cili është dallimi midis bisedimeve teknike dhe politike!
Nëse njëra palë, në këtë rast Kosova detyrohet t’i pranojë bisedimet që i kërkon shteti që nuk e pranon qenien tënde shtetërore, pra Serbia dhe nëse temë e bisedimeve janë decentralizimi sipas parimit ekskluzivisht etnik( krijimi dhe forcimi i territoreve të pastërta etnike serbe), trashigimia kulturore, përkatësisht zgjerimi i zonave mbrojtëse gjithashtu në baza etnike e që nuk e kanë bërë as krajlat apo carët e Serbisë, madje as Millosheviqi dhe Veriu i Kosovës të cilin e administron Serbia dhe është e okupuar nga Serbia atëherë, Ju lutem të më përmirësoni!
A mund të quhen këto bisedime teknike dhe çka ka teknike në këto bisedime? Pastaj, nëse pranoni apo që është edhe më keq detyroheni të merrni pjesë në bisedime, a nuk nënkupton kjo që domosdoshmërisht do të bëni lëshime në kurriz të shtetit! Prandaj, nuk e kam të vështirë ta kuptoj se si do të ndahemi në këto bisedime, vetëm për kah ambalazhimi teknike por me një përmbajtje 100% politike. Dhe me pasoja politike!
Opozita e harlisur pas pushtetit nuk po i kundërshton këto bisedime por po ankohet se këta që janë në pushtet nuk janë të zotët për bisedime dhe se ata do ta bënin më mirë këtë punë! Të çmendur fare! Mirëpo, do ta kemi një dobi prej këtyre bisedimeve. Do ta forcojmë një mekanizëm negociues vendor i cili do të jetë i aftë për intervenime ndërkombëtare! Diçka në kajde të FSK-së që po luan rol të rëndësishëm për forcimin e paqes në Irak!
(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale dhe të rrethit ku jeton)





































