LAJMI I FUNDIT:

Bien përsëri çmimet e naftës

Bien përsëri çmimet e naftës

Çmimet e naftës kanë rënë sot për rreth 5 për qind në tregun e Azisë, pas përfundimit të një takimi mes vendeve prodhuese të naftës një ditë më parë në Katar, të cilat nuk arritën marrëveshje bazuar në një plan që synon rritjen e çmimeve globale të naftës.

Ministri rus i Energjisë, Aleksandr Novak, tha në fund të këtij takimi në Doha se Kremlini nuk është optimist rreth arritjes së një marrëveshje të mundshme për ngrirjen e prodhimit të naftës, për shkak të “debateve të nxehta” që pati gjatë konferencës, si dhe “pozitës së Iranit”.


Irani, vend anëtar i OPEC-ut (Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës) nuk mori pjesë në takimin e Dohas dhe insiston se nuk do ta kufizojë prodhimin e tij, derisa ai t’i arrijë nivelet që kishte para vënies së sanksioneve ndërkombëtare, njofton Rel raporton Telegrafi.

Me këto sanksione që tani janë tërhequr, pas marrëveshjes bërthamore të nënshkruar mes Iranit dhe fuqive botërore vitin e kaluar, Teherani dëshiron që ta rrisë prodhimin ditor të naftës me 1 milion fuçi në ditë.

Arabia Saudite thotë se çdo ngrirje e prodhimit duhet të jetë e detyrueshme për të gjithë prodhuesit. /Telegrafi/