Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë të shtunën se ai do të konsideronte takimin me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, por vetëm nëse ai do të ishte “i sinqertë” dhe “serioz” në lidhje me diskutimet në lidhje me programin bërthamor të vendit.

“Do të varej nëse ai ishte i sinqertë dhe nëse ishte serioz”, u përgjigj Biden kur u pyet se në çfarë kushtesh do të takohej me udhëheqësin e Koresë së Veriut, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Biden i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje në një konferencë të përbashkët shtypi të shtunën pas një takimi dypalësh me koreano-jugorin Yoon Suk-yeol.

Presidentët e SHBA-së historikisht nuk janë takuar zakonisht me liderët e Koresë së Veriut, por paraardhësi i Biden, ish-presidenti Donald Trump, ndërmori një hap të paprecedentë duke u takuar me Kim tri herë, duke përfshirë edhe “hyrjen” në Korenë e Veriut.

Megjithatë, bisedimet e administratës Trump me Korenë e Veriut për programin e saj bërthamor dështuan përfundimisht.

Ndryshe, Administrata Biden ka thënë vazhdimisht se është e hapur për bisedime me Korenë e Veriut pa parakushte, por Pheniani i ka refuzuar ato oferta.

Deklaratat e fundit të Biden erdhën në mes të tensioneve të rritura mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut, i cili është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare. /Telegrafi/