Forca e Sigurisë së Kosovës ka përfunduar të premten ceremoninë e garës ndërkombëtare e ushtarit të mirë 2019. Besnik Nebihu është përzgjedhur ushtari më i mirë për sivjet.

Në garë morën pjesë pjesëtarë të Forcës dhe të partnerëve ndërkombëtarë, dhe nga rajoni.

Në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, në ceremoninë e garës së ushtarit më të mirë, që është model i gardës së IOWA-s nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u tha se kjo garë ka treguar shkathtësitë ushtarake dhe qëndrueshmërinë e pjesëtarëve të Forcës.

Zëvëndëskomandanti i FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi u zotua se në garën e ardhshme do të jenë edhe më të përgatitur.

“Ne do të identifikojmë të gjitha mangësitë që kanë qenë dhe do të mundohemi që edhe viteve të ardhshme kur do të organizojmë garën e ushtarit më të mirë, të jemi sa më të përgatitur më tutje. Të gjitha temat që janë zhvilluar, që kanë qenë pjesë e testimeve dhe vlerësimeve kanë qenë që e kanë sfiduar ushtarin, por njëkohësisht edhe e kanë përgatitur me përvoja të reja që secili e dimë sa janë të rëndësishme për punën e nënoficerit. Edhe njëherë dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë organizim, dua të përcjelli të te gjithë bordi, që ka bërë një vlerësim aq të mirë, të jap zotimin edhe në emër të gjeneral Ramës, që do të vazhdojmë këtë partneritet me të gjithë shtetet tona mike”, tha ai.

Ndërsa zëvëndësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani tha se kjo garë promovon vlerat dhe gatishmërinë e FSK-së.

“Jam i bindur se kjo garë, tashmë tradicionale, promovon vlerat, gatishmërinë, profesionalizmin e FSK-së dhe po ashtu ndihmon edhe në shkëmbimin e përvojave me ushtarët ndërkombëtar nga vendet partnere. Shpresoj që gara në të cilën keni marrë pjesë, të ishte sfiduese njëkohësisht të ishte edhe argëtuese në aspeketin e miqësimit në mes jush”, tha Ramadani.

Për detajet e organizimit të garës foli rreshter-majori i parë Genc Metaj.

Ai bëri të ditur se gjatë garës, e cila ka filluar më 22 prill, nuk ka pasur asnjë të lënduar, dhe të gjithë e kanë përfunduar atë me sukses.
“Kjo garë dhe ky model i matë shkathtësitë ushtarake, saktësinë dhe qëndrueshmërinë e ushtarëve. Për FSK-në, qëllimi primar i garës së ushtarit më të mirë rritja e aftësive ushtarake, ngritja e fitnesit fizik dhe përzgjedhja e më të mirëve. Mirëpo prezenca e partnerëve ndërkombëtarë i ka dhënë një kuptim krejt tjetër, një kuptim edhe më të mirë, sepse u ka krijuar mundësi ushtarëve tonë, dhe partnerëve që kanë qenë pjesëmarrës, që me i nda njohuritë, me shkëmby aftësi ushtarake, luftarake dhe me kriju raporte shoqërore”, tha ai.

E për Besnik Nebihun, që tani është ushtari më i mirë i vitit, triumfi në këtë garë ka domethënie të veçantë.

“Është një ndjenjë e mirë me fitu garën e ushtarit më të mirë të FSK-së. Gara ka qenë e një niveli më të lartë, kështu që konkurrenca ka qenë gjithashtu shumë e fortë mirëpo normal çdo garë dikush duhet të fitojë dhe dikush duhet të humbasë”, tha ai.

FSK ka filluar organizimin e garës së ushtarit më të mirë në vitin 2014, si model i marrë nga garda e IOWA-s.

E nga viti 2017 gara e ushtarit më të mirë është hapur edhe për partnerët ndërkombëtar ku kanë marrë pjesë shtete të ndryshme.

Gara është produkt i nënoficerëve dhe udhëhiqet nga ta.

Qëllimi i garës, sipas FSK-së, është promovimi i shpirtit luftarak dhe garues ndërmjet ushtarëve, duke identifikuar ushtarët dhe nënoficerët më të mirë në detyrat e përgjithshme, si dhe për të shpërblyer më të mirët për arritjet e tyre.

Ceremonia e garës 2019 ka filluar më 22 prill dhe ka përfunduar sot më 26 prill 2019.

Pjesëmarrës ishin 40 garues, 22 nga FSK dhe 18 nga vendet partnere si Shtetet e Bashkuara të Amerikës(nga garda e IOWA-s), Britania e Madhe, Shqipëria, Kroacia, Kanada, Belgjika, Polonia, Turqia dhe Maqedonia e Veriut. /kp/Telegrafi/