LAJMI I FUNDIT:

Besnik Bislimit nuk i lejohet pjesëmarrja në konferencën e planifikuar në Beograd, e kthejnë në Kosovë

Besnik Bislimit nuk i lejohet pjesëmarrja në konferencën e planifikuar në Beograd, e kthejnë në Kosovë
Foto: ATV

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është kthyer në Kosovë pa mundur të realizojë vizitën e planifikuar në Beograd.

Nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar për Telegrafin se Bislimi është kthyer prapa 85 km pa mbërritur në Beograd, saktësisht në vendin e quajtur Velika Plana, për “shkaqe sigurie”.


Po ashtu, Bislimi pas arritjes në Kosovë, do të dalë në konferencë për media për të dhënë sqarime lidhur me ndalesën e tij nga autoritetet serbe.

Zëvendëskryeministri ishte paraparë që të enjten të merr pjesë  në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”, me fillim nga ora 17:00.

Ditën e premte, poashtu ai ishte paraparë të jetë pjesëmarrës në një panel diskutimi, në kuadër të “Belgrade Security Conference”, me temë  “Kosova dhe Serbia – Shmangia e rrugës pa dalje”, me fillim nga ora 18:15.​

Udhëtimi drejt Beogradit erdhi në ditën e njëjtë kur Lista Serbe dhe zyrtarët në Serbi, kanë paralajmëruar se do të ketë barrikada në veri, nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon makinat dhe targat serbe.
Nga 1 shtatori deri më 31 tetor, Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët në Kosovë mund të pajisen me targat RKS (Republika e Kosovës) për të zëvendësuar targat që Serbia i lëshon për ta.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të enjten se paralajmërimet e Prishtinës për zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave në veriun e Kosovës kërcënojnë qëndrueshmërinë, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha ndërkaq se është Serbia ajo e cila po kërcënon me dhunë ndaj një veprimi ligjor të autoriteteve të vendit.

Të hënën më 31 tetor skadon afati i vendosur nga qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e serbëve paralajmëruan bllokimin e rrugëve nëse siç thanë, autoritetet ndërmarrin veprime për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Ky paralajmërim u bë nga udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq, ministër në qeverinë e Kosovës pas një takimi në Beograd me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq./Telegrafi/