LAJMI I FUNDIT:

BERZH 24 milionë euro për sigurimin e depozitave

BERZH 24 milionë euro për sigurimin e depozitave

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka vënë në dispozicion të Fondit për Sigurimin e Depozitave të Kosovës (FSDK) një linjë të hapur kreditore në vlerë prej 24 milionë euro. FSDK është institucion i pavarur publik që ka për qëllim mbrojtjen e depozituesve të vegjël nga humbjet financiare në rast të dështimit të bankave. Linja kreditore është garantuar plotësisht nga Republika e Kosovës.

Linja e hapur kreditore i ofron FSDK fonde të menjëhershme vetëm në rast të nevojës për përmbushjen e mandatit të FSDK për kompensimin e depozituesve të siguruar. Kjo linjë është njëra nga instrumentet financiare rezervë të FSDK për mbulimin adekuat të depozituesve të siguruar në mënyrë proporcionale me rritjen graduale të përcaktuar me ligj të limitit të mbulesës për çdo depozitues. Kjo linjë e hapur kreditore përbën vazhdimësi të linjës së parë kreditore që është vënë në dispozicion në vitin 2013 dhe rikonfirmon mbështetjen e vazhdueshme të BERZH për FSDK.


Një sistem efektiv për sigurimin e depozitave është jetik për një sistem bankar të shëndoshë. Duke ju ofruar depozituesve siguri për depozitat e tyre, FSDK kontribuon në stabilitetin financiar të Kosovës duke rritur besimin e depozituesve në bankat kosovare. Fondet efektive për sigurimin e depozitave gjithashtu i inkurajojnë ekonomitë familjare që të depozitojnë paratë e tyre dhe e reduktojnë rrezikun e mbingarkesës së bankave nga kërkesat e depozituesve në kohë krize.

Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se “Ministria e Financave ka mbështetur fondin për sigurimin e depozitave të Kosovës që nga themelimi i këtij fondi, duke kontribuar kështu në stabilitetin e sektorit financiar në Kosovë. Marrëveshja për linjën e dytë kreditore prej 24 milionë euro me BERZH, do të përmirësojë qëndrueshmërinë financiare të FSDK dhe do të ndikojë në rritjen e kufirit të mbulesës së depozitave të siguruara për qytetarët e Kosovës. Për këtë arsye, ne si Qeveri do të vazhdojmë të mbështesim fuqizimin e mëtutjeshëm të sistemit financiar në Kosovë.”

Udhëheqësja e BERZH-it në Kosovë Elena Petrovska tha se “Ky është një transaksion i rëndësishëm për ne sepse i lejon BERZH që të vazhdojë mbështetjen e FSDK në arritjen e objektivave të këtij institucioni për mbrojtjen e depozituesve të vegjël, si dhe të mbështes Qeverinë dhe Bankën Qendrore të Kosovës në arritjen e objektivave të tyre për krijimin e një sistemi financiar të shëndoshë, qëndrueshëm, efikas, stabil dhe të bazuar në ekonominë e tregut.”

Ndërsa, Drejtoresha Menaxhuese në FSDK Violeta Arifi Krasniqi, shtoi se linja e dytë kreditore me BERZH i ka mundësuar FSDK që të mbërrijë përmbushjen e rekomandimeve nga Asociacioni Ndërkombëtar i Siguruesve të Depozitave (IADI) nga vlerësimi i përputhshmërisë me Parimet Themelore, posaçërisht Parimin Themelor 9 për vendosjen e aranzhimeve të mjaftueshme për financim emergjent. Sot, me mbështetjen e plotë të Ministrisë së Financave dhe rrjedhimisht Qeverisë së Kosovës, kemi arritur që t’i vendosim këto aranzhime – dhe shfrytëzojmë rastin që të shprehim falënderimin tonë për mbështetjen e dhënë.”

FSDK është krijuar në vitin 2011 për menaxhimin e sistemit të sigurimit të depozitave në Kosovë. Mandati kryesor i këtij institucioni është kompensimi i depozituesve të siguruar në rast të dështimit të bankave dhe mbështeta e Bankës Qendrore në ruajtjen e stabilitetit financiar përmes rritjes së besimit të depozituesve në sektorin bankar. FSDK siguron depozitat e personave fizik dhe juridik deri në kufirin maksimal prej 4,000 euro (që do të rritet në 5,000 euro nga 1 janari 2018).

Deri më tani BERZH ka investuar më shumë se 220 milionë euro përmes 51 projekteve në Kosovë. Banka është aktive në shumë sektorë të ekonomisë dhe prioritetet strategjike të saj në Kosovë janë promovimi i përfshirjes, ekonomia e gjelbër, qëndrueshmëria ekonomike dhe integrimi rajonal. /Telegrafi/