Berisha pas protestës: Policia përdori sprej për arinjtë kundër qytetarëve, vepër e rëndë penale

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetin e tij social foli në lidhje me protestën e djeshme, ku pati tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.
Berisha në fjalën e tij u shpreh se ndaj protestuesve dhe deputetëve të Partisë Demokratike është ushtruar dhunë nga forcat e policisë, ndërsa theksoi se ndaj tyre është hedhur edhe sprej, i cili sipas tij përdoret për arinjtë.
“Para së gjithash dëshiroj të përshëndes ata dhjetëra mijëra qytetare e qytetarë, opozitare e opozitarë, që dje me uraganin e fuqishëm në kryengritjen tonë paqësore i kallën datën dhe tmerrin narkoregjimit të Edi Ramës. Të përshëndes përzemërsisht heronjtë tanë në qelitë e komisariateve, të cilët përballë torturave çnjerëzore, goditjeve shtazore që morën nga narkopolicë të droguar, qëndruan të pamposhtur dhe nuk pranuan të japin asnjë deklaratë siç donin banditët që i arrestuan.
Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës", tha Berisha, raporton euronews.al.
Ai tutje tha se për këtë qëllim, në mënyrë të programuar ata përdorën një armë me fuqi të njohur letale siç është spreji kundër ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spreji që përdoret kundër njeriut.
"Përdorimi i këtij spreji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat. Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve. Në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me sprej drejtuesit kryesorë të PD dhe deputetët e saj Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Aulon Kalaja dhe shumë të tjerë.
Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe shtazërinë e treguar ndaj demonstruesve. Dënoj torturat e ushtruara ndaj tyre në komisariat. Edhe sot në komisariat ka demonstrues të torturuar me shenja të hapura tortura. Aulon Kalaja, pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja. Po kështu janë një seri demonstruesish paqësorë”, u shpreh ai.




















































