Shqipëria ka dënuar sulmin me dron rus në Galaçi të Rumanisë, që goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë në një deklaratë për media ka shprehur solidaritetin e plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë.


“Shqipëria dënon sulmin me dron rus në Galaçi, Rumani , i cili goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë dhe u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të të lënduarve.

Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë e civilëve përtej kufijve të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Tutje thuhet se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t'i dhënë fund kësaj lufte në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. /Telegrafi/