LAJMI I FUNDIT:

​Berisha mbështet grevën e profesorëve: Në Kosovë, pagat dy herë më të larta

​Berisha mbështet grevën e profesorëve: Në Kosovë, pagat dy herë më të larta

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen për grevën e profesorëve universitarë për rritje pagash.

Ai tha se e njëjta duhet mbështetur nga studentët dhe qytetarët, pasi sipas tij Qeveria Rama ka para, por ato po shkojnë, siç tha për aferat e inceneratorëve.

“Sot, universitetet e vendit ishin në grevë. Unë dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata pedagogë, punonjësve të universiteteve dhe studentë që u përgjigjën thirrjes së sindikatave të tyre për të nisur një grevë të fuqishme e cila ka objektiv kryesor realizimin e kërkesave të ligjshme të sindikatës së universiteteve. Pas qëndrimit cinik, arrogant, të papërgjegjshëm të qeverisë, sindikata vendosi të thërrasë për bojkot të mësimeve në universitetet e vendit. Ky vendim është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili synon të parandalojë shuarjen e universiteteve tona”, tha ai.

Në konferencë për medie të hënën, ish-kryeministri tha se pagat e profesorëve në Kosovë janë dy herë më të larta se në Shqipëri.

“Pedagogët, punonjësit, studentët e universiteteve nuk po kërkojnë asgjë tjetër veçse ato që sot gëzojnë kolegët e tyre të Universitetit të Prishtinës. Sot në Universitetin e Prishtinës, pagat janë afërsisht dy herë më të larta se sa në Universitetin e Tiranës. Qeveria e Kosovës për shkak të rritjes së çmimeve vendosi të japë për çdo student 100 euro në mënyrë që ata të mund të përballojnë rritjen e çmimeve të transporteve dhe të qirave. Gjithashtu Universiteti i Prishtinës ka një buxhet 6-8 herë më të lartë se ai i Tiranës për kërkimet shkencore. Qeveria e Kosovës dhe shteti i Kosovës ka një buxhet qartësisht më të ulët se Shqipëria, por në Shqipëri qindra milionë euro vidhen për tre djegësa të cilët de facto nuk ekzistojnë”, shtoi ai.

Krahas kësaj, ai paraqiti “aferën e inceneratorëve”, që sipas tij, tregojnë keqpërdorimet në Qeverinë Rama.

“Sot gjithashtu, dua të denoncoj edhe njëherë me forcën më të madhe, parodinë që po ndodh me aferën e inceneratorëve. Ju e patë, njeriu absolutisht i dytë më përgjegjës për këtë aferrë 420 milionë, hyri dhe doli serbes sikur të ishte në një kafene tek skapi i partisë. Qytetarët duhet ta dinë se paratë, taksat e tyre u dhanë pikërisht nga firma e kundërligjshme e Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit. Engjëll Agaçin taksapaguesit shqiptarë e paguajnë vetëm e vetëm që t’i thotë kryeministrit dhe këshillit të ministrave, që vendimet që ata firmosin përputhen apo nuk përputhen me ligjin. Engjëll Agaçi, megjithëse enti i specailizuar kombëtar i prokurimeve, i drejtuar nga Eduard Ahmeti, i bëri shkresë se procedura e prokurimit është e paligjshme, është prokurim me negociatë të mbyllur. Ai përgatiti aktin për të dhënë fondet për këtë prokurim të paligjshëm i cili në rast se Agaçi bllokonte fondet shndërrohej në një letër të vdekur pa vlerë”, përfundoi ai.

Viti i ri akademik në Shqipëri nisi me bojkot të mësimit. Profesorët e Universiteteve të Tiranës i janë përgjigjur thirrjes së sindikatës për të pezulluar procesin mësimor. Ashtu siç ishte paralajmëruar, në auditorë kanë hyrë vetëm studentët e viteve të para për t`u njohur me orarin dhe pedagogët. Pas orës 10:00 në çdo fakultet stafet akademike kanë protestuar para ambienteve të punës. Profesorët kërkojnë rritje prej 50% të pagës.