LAJMI I FUNDIT:

Berisha: Fadil Hoxha tradhtoi Kosovën pabesisht (Video)

Berisha: Fadil Hoxha tradhtoi Kosovën pabesisht (Video)

Ish-kryeministri dhe deputeti i PD-së në Parlamentin e Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur edhe për raportet e tij me Gjakovën dhe për rolin e liderit komunist kosovar, Fadil Hoxhën.

Në intervistën dhënë për RTV Dukagjinin, Berisha ka thënë se ka pasur ëndërr që Gjakovën ta kishte kryeqytet.


“Ëndrra dhe në mendjen time kryeqyteti im ishte Gjakova, por që nuk shkonim dot. Kisha qenë një herë me qerre, por që s’mbaja mend asgjë dhe pastaj nuk shkoja dot. S’shkoja dot, sepse ishte kufiri. Dhe çdo gjë në shtëpinë time ishte e tregut të Gjakovës”, tha ai.

Politikani antikomunist ka folur edhe për Fadil Hoxhën dhe iniciativën për vendosjen e shtatores së tij në Gjakovë.

“E kam dëgjuar dhe më duhet te them që kjo gjë është jashtëzakonisht e rëndë. Më duhet t’u them atyre që unë kam respekt, që e promovojnë një gjë të tillë. Lexoni pak mbledhjet e vitit 1945 me të cilat Fadil Hoxha anulon Bujanin. Anulon atë qe kishte firmosur vetë, atë meritë që ai e pati në firmosjen në konferencën e Bujanit, të firmosur edhe nga serbët edhe nga shqiptarët, ku Kosovës i njihej e drejta e plebishitit. Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha e tradhtuan në mënyrën më të pabesë. Ai ishte një akt ndërkombëtar”, deklaroi Berisha, përcjell Telegrafi.

Sipas deputetit të PD-së, çështja e kufijve në atë kohë ishte ende e papërcaktuar, por Fadil Hoxha me vendim të Beogradit i bëri dëmin e madh Kosovës.

“Dua të them një gjë, se shqiptarët duhet ta dinë, nuk ishte e përcaktuar çështja e kufijve të Shqipërisë, ishte e hapur, dhe jo në interes të Shqipërisë, e mbante Greqia. Por nga ana tjetër në qoftë se shqiptarët do të luftonin absolutisht kurrë Kosovën Tito nuk do e merrte, dhe Fadil Hoxha vendimin e Beogradit që e mori Partia Komuniste, Rankoviqi, e transferoi dhe e mori në Prizren”.

Ish-presidenti i Shqipërisë thotë se Fadil Hoxha bashkë me Enver Hoxhën përfunduan në koshin e turpit të historisë, dhe nuk mundë t’i ngrihet një tradhtari përmendore.

“Atëherë, a mund t’i ngrihet një tradhtari përmendore? Ai përfundon në koshin e turpit të historisë bashkë me Enver Hoxhën. Unë e kuptoj që ai ka anturazhin e vet dhe njerëzit që e përkrahin, por ky është Fadil Hoxha”, tha Berisha./Telegrafi/