Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në seancën e 68-të të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku në lexim të parë u shqyrtua Propozim-Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.

Gjatë diskutimit u theksua se parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është një vlerë kushtetuese që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe paraqet një nga shtyllat themelore të karakterit multietnik të shtetit.


"Ligji për herë të parë e rregullon këtë çështje në mënyrë të plotë dhe sistemore, duke e ngritur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në nivel ligjor. Me këtë zgjidhje vendoset një kornizë e qartë institucionale, e bazuar në të dhëna reale, nevoja konkrete të institucioneve dhe mekanizma të mirëfilltë monitorimi".

"Propozim-ligji parasheh që përfaqësimi i drejtë dhe adekuat të jetë obligim ligjor për institucionet publike, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjitha bashkësitë dhe duke garantuar respektimin e parimeve të barazisë, përfshirjes dhe mundësive të barabarta".

"Gjithashtu, ligji parashikon mekanizma për monitorimin e zbatimit të tij, mbrojtjen e të drejtës së vetëdeklarimit dhe parandalimin e keqpërdorimeve, me qëllim forcimin e besimit në institucionet publike dhe avancimin e kohezionit shoqëror", tha Bekim Sali.