LAJMI I FUNDIT:

Bekim Isufi jep dorëheqje nga pozita e trajnerit te Ferizaj

Bekim Isufi jep dorëheqje nga pozita e trajnerit te Ferizaj

Ferizaj nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në përballje me kampionin në fuqi të Kosovës, Feronikelin.

Mirëpo pas këtij takimi skuadra bardhekaltër ka mbetur edhe pa shefin e shtabit teknik.


Bekim Isufi ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i trajnerit te Ferizaj.

Tekniku gjilanas e konfirmoi këtë informacion pas ndeshjes ndaj Feronikelit, ndërkohë që thotë se vendimin e kishte marrë qysh më herët.

“Për hir të korrektësisë nuk kam dashur që të largohem përpara ndeshjes, pasi që nuk kam dashur ti lë vetë futbollistët, përndryshe unë nuk mund të vazhdoj me këtë gjendje dhe këtë e dinë shumë mirë drejtuesit e klubit”, deklaroi Isufi pas ndeshjes për “Super Sport Kosova”.

Isufi më tej tha se gjendja në klubin e Ferizajt nuk është aspak e mirë dhe këtë e dinë më së miri drejtuesit e klubit, pse ata janë në këtë pozitë.

“Edhe po mos të isha në krye të skuadrës, sinqerisht nuk e di se si Ferizaj ka ardhur në këtë gjendje. I kam paralajmëruar vazhdimisht, por gjërat asnjëherë nuk kanë ndryshuar. Na kanë ikur shtatë futbollistë dhe i kemi transferuar vetëm dy. Kjo situatë nuk ka koment, vetëm drejtuesit e klubit dinë ta sqarojnë më së miri këtë situatë”, shtoi ndër të tjerash Isufi.

Isufi e lë Ferizajn në pozitën e dhjetë në tabelë me 19 pikë të grumbulluara. /Telegrafi/