LAJMI I FUNDIT:

Befasi! Mësoni çfarë u ndodh çifteve që i ndajnë bashkë punët e shtëpisë

Befasi! Mësoni çfarë u ndodh çifteve që i ndajnë bashkë punët e shtëpisë

Ky është rezultati i një studimi në Norvegji, nga i cili rezultoi se çiftet që janë në pozita të barabarta e kanë më keq punën me divorcet

Një studim i kohëve të fundit nga studiuesit norvegjezë, ka konkluduar se ndarja e punëve të shtëpisë në mënyrë të barabartë me bashkëshortin, mund të mos çojë domosdoshmërish në marrëdhënie harmonike, përkundrazi.


Në të vërtetë, duket se barazia gjinore nuk funksionon edhe aq mirë, sipas studimeve të fundit. Kjo nuk është një çudi, sepse meshkujve thjesht nuk u intereson rregulli dhe pastërtia në shtëpi. Studiuesit thonë se larja e dyshemeve, sistemimi i shtëpisë, larja e pjatave, e rrobave, ka një ndikim shumë të madh në marrëdhënien në çift.

Duke analizuar të dhënat e mijëra çifteve norvegjeze, studiuesit vunë re se shkalla e divorceve ishte më e lartë (rreth 50 për qind më shumë) në çiftet që i ndanin punët e shtëpisë bashkë, sesa çiftet në të cilat gruaja bën më shumë punë. Kjo, sepse burrat nxjerrin gjithmonë një justifikim për t’ia lënë bashkëshortes rolin kryesor në shtëpi. Dhe, për më tepër, meqë i ndajnë të gjitha punët në mënyrë të barabartë, rritet mundësia “për t’ia shkelur këmbën” partnerit.

Ajo që është vënë re nga studimi është fakti që ndarja e përgjegjësive në mënyrë të barabartë në shtëpi nuk jep aq shumë kënaqësi, sidomos meshkujve. Ndër çiftet e ndara, që janë bërë pjesë e sondazhit, ka rezultuar se vlera ka qenë rreth 50 për qind më e lartë se pjesa tjetër, kur punët e shtëpisë i bën vetëm gruaja.

Sipas studiuesve, në shumicën e martesave janë gratë ato që bëjnë shumicën e punëve në shtëpi. Në 11 për qind të rasteve gratë bëjnë pothuajse të gjitha punët e shtëpisë dhe në 60 për qind të rasteve, gratë bëjnë më shumë punë shtëpie.

Pavarësisht nga përfundimet, rezultatet e këtij studimi, në fakt, bien ndesh me ato të mëparshmet, sipas të cilave, njerëzit janë më të lumtur kur bëjnë punë shtëpie bashkë.

Kush i ndan punët e shtëpisë?

Punët e shtëpisë ndaheshin në mënyrë të barabartë vetëm në një të katërtën e martesave të shqyrtuara. Ky grup janë çiftet më të rinj dhe më të pasur.

Këtu punët ndahen në mënyrë të barabartë, sepse gruaja punon me kohë të plotë. Megjithatë, edhe kur ajo punon me kohë të plotë, në 65 për qind të çifteve të moshës 30 deri në 49 vjeç, sërish ajo është e prirur të bëjë më shumë punë shtëpie se bashkëshorti. /Telegrafi/