LAJMI I FUNDIT:

Bedria dhe kurbeti

Bedria dhe kurbeti

Kur sapo kishte hapur një faqe të saj në rrjetet sociale, ndoshta për të shtyrë kohën a ndoshta për t’i dhënë ca ngjyra jetës vetmitare, në atë fshat të vogël pranë Durrësit e akuzuan për një ‘krim’ a sjellje të pamoralshme që nuk e kish kryer. Një vit më vonë historia rrodhi ndryshe. Këtë herë ‘krimi’ kish ndodhur. Bedrie Loka kishte kryer vetëvrasje. Nuk e dimë cilat kanë qenë arsyet e vërteta të vdekjes së saj. Nëse do ta meritonte apo jo të vdiste ashtu.

Nuk e dimë nëse gjërat mund edhe të kishin shkuar ndryshe atë natë. Ashtu si nuk besoj se do të mësojmë diçka më shumë për të në ditët në vazhdim … Por, ajo që dimë me siguri është që asnjë prej nesh nuk mund të gjykojë të drejtën e saj për atë thirrje të fundme që i bëri botës. Në mbrojtje të dinjitetit të vet. I vëllai tregoi se ishte martuar shumë e re. Prindërit e patën dorëzuar te një njeri që për të do të ishte dashuria e parë. Dhe, si të gjithë thonë, ti nuk mund ta harrosh kurrë dashurinë tënde të parë. Sepse, me dashurinë e parë në mendje, nuk ke asnjë të kaluar. Nuk ke njeri tjetër për të kujtuar. Jeni vetëm ju të dy. Por, ndodh ndonjëherë që koha e korrupton atë dashuri, duke e bërë të tregojë anën më të keqe të saj, xhelozinë.


Çfarë ndodhi? Ishte 2 janari. Burri ishte kthyer prej kurbetit të lodhshëm. Duke pa frytet e nevojshme të kënaqësisë që të jep një punë që e do. Pa mallin e ëmbël për të dashurit që do. Pa gëzimin e dritës në familjen që shkon. Prej rrëfimit mësuam se nga mbrëmja atypari, fëmijët kishin kaluar orë tensioni ato netët e Vitit të Ri. Bashkë, aty të mbledhur prej pasigurisë dhe llahtarisë që ushqen si zjarri distanca e kurbetit.

Dhe, si në çdo rrëfim biblik është gruaja, gjithmonë ajo, e para me instinktin e gjallë të një dhimbjeje të pashpjegueshme e therëse që zien nga mendimet të çlirojë fëmijët e saj prej orëve dëshpëruese të gjykimit. Dhe, Bedria mendoi. Mendoi se si Bibla e ka shenjtëruar duke bërë theror jetën e saj. Me vetëvrasjen e saj.

Xhelozia është një ndjenjë që shoqëron njeriun gjithë jetën. Me kohë ajo zbutet derisa venitet, por kur ajo të pushton pa kontroll bën të themi gjëra që nuk i ndjejmë realisht. Xhelozia nxit sjellje që nuk do t’i kishe besuar kurrë se do t’i bëje më parë. Xhelozia mund edhe të vrasë. Ndaj nuk duhet lejuar që ajo të egërsojë me zemërim dhe inat ndjenjat tuaja. Me urrejtje gjithashtu. Kjo është e vetmja mënyrë për të njohur dashurinë e vërtetë dhe që të mund ta jetosh atë, pa paragjykime. Ne lindim vetëm dhe vdesim po aq vetëm. Por, duhet ta dimë se e izoluar, qenia njerëzore është thellësisht e dobët. Dhimbja, frika, pasiguria … rriten kur njeriu është vetëm.

Kjo është arsyeja pse ne duhet të jetojmë si një tufë e pandalshme, që lufton për mbijetesën e saj. Bedria ishte njëra prej tufës. Shpeshherë njerëzit mendojnë se të kapësh një mundësi është si të kapësh një tren në ikje. Ai vjen vetëm një herë në stacion dhe nëse e humbet a jo, kjo varet nga fati juaj. Unë nuk jam e të njëjtit mendim. Sepse u besoj të gjitha mundësive rreth nesh. Fati i vërtetë është të dish t’i njohësh mundësitë dhe të mos i lësh të shkojnë dëm. Por për këtë duhet guxim.

Guxim për të vrarë frikën dhe për të ecur para. Për të ecur para që të vazhdojmë të luftojmë deri në fund. Edhe nëse kjo do të thotë të rrezikoni jetën tuaj ose të përballeni me të gjithë. Edhe atëherë kur nuk e dini nëse do t’ia dilni. Sepse motivi i së vërtetës brenda jush është sinonim i lumturisë.

Arsyeja përse është e rëndësishme ta shijojmë atë. Edhe pse nuk e dimë kurrë sesa do të zgjasë. Gjithmonë do të jetë dikush aty që do t’ju tregojë se asgjë nuk është plotësisht në duart tuaja. Dhe, kjo jetë të jep vetëm mundësi të reja ndonjëherë … Jetë ose vdekje. Shpresë apo dëshpërim.