Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një njoftimi thotë se ata si parti e kanë lehtësuar dhe thjeshtësuar marrjen e nënshtetësisë.

Ata thonë se gjatë vitit 2004 e ndryshuan Ligjin për shtetësi, me çka u mundësuan qytetarëve marrje të dokumentit të shtetësisë përmes prezantimit të një dokumenti, qoftë ajo dëftesë e shkollës apo ndonjë faturë e paguar e energjisë elektrike, ujësjellësit, ngrohtores apo ndaj ndonjë institucioni shtetëror.

“Gjatë kësaj periudhe ne gjithashtu ulëm periudhën e qëndrimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut si kusht për marrjen e shtetësisë. Në vend se një qytetarë të pres 15 vite, ne e bëmë që kjo periudhë kohore të ulet në vetëm 8 vite. Katër vite më vonë, apo gjatë vitit 2008 përsëri intervenuam në Ligjin e shtetësisë. Aso kohe krijuam mundësi që një qytetarë i cili nuk është gjykuar së paku 1 vjet burg, të mund të aplikojë dhe të marr dokumentin e nënshtetësisë”.

“Në vitin 2011 Ligjin për shtetësi e plotësuam sërish. Me këtë qytetarëve iu mundësuam që të mund të parashtrojnë ankesa para Gjykatës Administrative nëse ata vlerësojnë se Ministria e Punëve të Brendshme me pa të drejtë i ka refuzuar, përkatësisht ua ka hedhur poshtë kërkesën për pajisje me dokumentin e shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI.

Më tej shtojnë se gjatë vitit 2016 Ligji për shtetësi pësoi përsëri ndryshim.

“Me këtë ndryshim obliguam zyrtarët e MPB-së që më me efikasitet dhe më shpejtë të sigurojnë prova për plotësimin e kushteve për personat në pritje të nënshtetësisë. Para dy viteve, gjegjësisht në vitin 2019 ne miratuam Ligjin për Agjencinë për Siguri Nacionale me të cilin e reformuam Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim e cila ishte një ndër vështirësitë më të mëdha për marrjen e shtetësisë. Gjithashtu me këtë rast inspektorëve të shërbimit sekret iu morën autorizimet policore, kurse kuadri i ri i këtij institucioni u përzgjodh pas kalimit të procesit të Vettingut.

“Tashmë, qytetarët që janë në pritje të pajisjes me nënshtetësi kanë qasje tek dokumentacioni me të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara për ta nga ana e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, me çka ata mund të shohin saktë se deri ku është procedura/lënda e tyre. Për në fund dëshiroj që edhe njëherë ta bëj publik numrin e vërtetë të personave të cilët janë duke pritur që të pajisen me dokumentin e nënshtetësisë”, theksojnë nga BDI.

Në fund shtojnë se deri në këtë moment në procedurë për marrje të këtij dokumenti janë 2.674 persona nga të cilët më pak se gjysma janë shqiptarë.