LAJMI I FUNDIT:

Bastisja në OVL-UÇK, Xhavit Jashari rrëfen të gjitha detajet

Bastisja në OVL-UÇK, Xhavit Jashari rrëfen të gjitha detajet

Për dallim nga dita e premte ku zyrat e Organizatave të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u “pushtuan” nga hetuesit e Speciales dhe kishte zhvillime të papritura, e marta ishte më e qetë. Megjithëse, dy figurat kryesore të OVL-UÇK-së janë arrestuar, zyrtarët tjerë vazhdojnë të punojnë.

Të premten hetuesit e Speciales rrethuan objektin e OVL-UÇK-së, për të zhvilluar brenda një bastisje e cila zgjati rreth tetë orë, ku gjatë asaj kohe u arrestua kryetari i organizatës Hysni Gucati dhe më pas nënkryetari Nasim Haradinaj.


Por, si kanë rrjedhur gjërat brenda kësaj organizate gjatë aksionit të hetuesve të Speciales për Telegrafin ka folur Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve.

Jashari tha se ishte duke punuar në zyrën e tij kur nga jashtë u njoftua se objekti ishte rrethuar nga forcat e EULEX-it.

“Ne kishim filluar punën si zakonisht në zyrat ku kryejmë aktivitetet tona për kategoritë që përfaqësojmë dhe ishim duke punuar. Unë personalisht isha në zyre dhe dikush nga jashtë na informoi se objekti ku ne veprojmë është rrethuar nga forcat e shumta të EULEX-it, dhe pastaj kemi dal të shohim se çfarë po bëhet. Ata ishin futur në objekt dhe kishin bllokuar hyrjet dhe daljet në të gjitha katet ku veprojnë invalidët e luftës, ne si familjarë të dëshmorëve dhe tek organizata e veteranëve të luftës”, pohoi ai.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari

Më tej, Jashari tregoi se çfarë kontrollesh kanë bërë hetuesit e Speciales.

“Ata janë futur nëpër zyre dhe kanë kontrolluar secilën zyre, jo kështu p.sh në shkresat dhe gjithë ato arkivat që mbajmë ne secila kategori, por në ballkone dhe janë pozicionuar në korridore të organizatave. Pas gjysmë ore janë futur prapë dhe kanë dhënë urdhër që të largohemi dhe të i lëmë të gjitha zyrat hapur. Ne jemi konsultuar edhe me invalidë, pasi që ishte e pamundur të kishim komunikime me veteranë. Ne jemi dakorduar që ta lëshojmë objektin, kemi kërkuar fillimisht shkresën, urdhrin se çfarë po kërkojnë. Mendoj se shkeljen më të rëndë e kanë bërë këtu, të shoqata e familjarëve të luftës dhe invalidëve, sepse ne kemi kërkuar që të jetë prezent dikush nga vendorët. Policia e Kosovës nuk ka asistuar në këto dy shoqata”, shtoi më tej ai.

Hetuesit e Speciales gjatë aksionit në OVL-UÇK (Foto: Ridvan Slivova)

Jashari thotë se është shkelje e dinjitetit mënyra se si hetuesit e EULEX-it kanë hyrë në zyrat e OVL-UÇK.

“Shkelje e dinjiteti, nuk është leju që të jetë dikush nga përfaqësuesit tanë, madje nga pjesëtarët e një Gjykate që ne nuk e kemi njohur as nuk e njohim, dhe as nuk do ta njohim. Gjykatë e cila nuk ka pasur mandatin, dhe ka shkelur në dinjitetin e kësaj organizate.

Gjatë gjithë kohës kemi qenë jashtë dhe kemi komunikuar me përfaqësuesit me degët tona, atë ditë ka mundur të eskalojë situata. Ne nuk e kemi ditur se mund të ndodhin kidnapimet, as Gucati dhe as Haradinaj nuk kanë qenë të ftuar dhe nuk kanë pasur ndonjë aktakuzë për ndonjë vepër. Shkresat e tyre për arrestim dhe gjithë zhvillimet, unë mendoj se kanë qenë kidnapim”, pohoi ai.

Hetuesit e Speciales gjatë aksionit në OVL-UÇK (Foto: Ridvan Slivova)

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve, Xhavit Jashari bëri të ditur se hetuesit e Speciales gjatë bastisjes kanë marrë disa shtëpiza të kompjuterëve dhe kanë marrë një pjesë ta kamerave që kanë qenë të vendosura lartë.

Arrestimi i kryetarit të OVL e UÇK-së, Hysni Gucati (Foto: Ridvan Slivova)

Ndryshe, pas zhvillimeve të fundit në OVL-UÇK, Specialja përmes një komunikate për media ka njoftuar se për Gucatin dhe Haradinajn është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Haradinaj do të paraqitet sot në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, kurse Gucati me datën 1 tetor.

Kujtojmë se, Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. /Telegrafi/