LAJMI I FUNDIT:

Basha njeh Uashingtonin me planin e opozitës për reformën në drejtësi

Basha njeh Uashingtonin me planin e opozitës për reformën në drejtësi

Me ndihmës-sekretaren e Shtetit, Viktoria Nuland, që është edhe niveli më i lartë në agjendën e takimeve të Lulzim Bashës në Uashington, kryetari i Partisë Demokratike konsultoi planin e opozitës për miratimin e reformës në drejtësi.

Përveçse këmbënguli që Byroja e Hetimit të miratohet si pika e parë e reformës, bashkë me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore për njësinë antikorrupsion, Lulzim Basha ka kërkuar që pjesa tjetër e amendamenteve kushtetuese të miratohet në Parlament bashkë me ligjet përkatëse.


“Një qeveri e cila ka prishur konsensusin për ligje shumë të rëndësishme ka humbur çdo besueshmëri, jo vetëm para opozitës dhe shqiptarëve, por edhe para partnerëve ndërkombëtarë, se është në gjendje të respektojë marrëveshjet e arritura. Prandaj miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe atyre legjislative duhet të behet si një paketë e tërë dhe jo veç e veç”, shprehet Basha.

Njoftimi i Partisë Demokratike nuk bën të ditur se çfarë qëndrimi mbajnë amerikanët për këtë propozim, i cili në rastin më të mirë, shtyn me disa muaj miratimin e reformës derisa të hartohen rreth 40 ligje ende të papërfunduara.

Takimi i Bashës me Viktoria Nuland është zhvilluar kokë më kokë, por siç thotë vetë kreu i opozitës, pjesë e diskutimeve ka qenë edhe paralajmërimi i kryeministrit Rama për zgjedhje të parakohshme nëse reforma nuk miratohet.

“Diskutuam për këtë impostim qesharak të qeverisë, e cila duket sikur ka interes për reformën në drejtësi, por në fakt nuk po bën asgjë për reformën në drejtësi. Ka dy javë që refuzon dialogun politik, pikërisht që të sabotojë reformën në drejtësi sepse nuk i intereson reforma në drejtësi sipas Venecias. Ndaj dhe impostimi ‘o reformë, o zgjedhje’, nuk është gjë tjetër veçse një blof i Edi Ramës”, deklaron kreu i PD-së.

Lulzim Basha thotë se Shtetet e Bashkuara, përveçse po monitorojnë procesin e reformës në drejtësi dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, i kanë dhënë garanci se do të ndihmojnë Shqipërinë për zgjedhje të lira e të ndershme, pengesë për të cilat kreu i opozitës tregon si përgjegjës kryeministrin Edi Rama.

“E ka krimin shpresën e tij të vetme për të kapur dhe prishur zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, parakusht për këtë është zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, reforma zgjedhore dhe një qeveri teknike që të ketë besimin e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që nuk do t’i vjedhë më siç bënë para 8 muajsh”, thotë Lulzim Basha. /Telegrafi/