Barcelona e qartë me skuadrat e interesuara: Raphinha është i pashitshëm

Barcelona ka vendosur vijën e kuqe për të gjitha skuadrat e interesuara: Raphinha nuk është në shitje.
Ditëve të fundit, anësori brazilian ka mohuar zërat që e lidhnin me një kalim në Ligën Profesionale Saudite pas Kupës së Botës 2026, dhe raportimet e reja nga Diario Sport e konfirmojnë se katalanasit nuk e konsiderojnë largimin e tij të mundshëm.
Trajneri Hansi Flick e sheh Raphinhan si një pjesë kyçe të projektit të tij afatgjatë. 28-vjeçari, i cili ka kontratë deri në vitin 2028, shihet si lojtar me rol të pazëvendësueshëm në skemat e gjermanit.
Nga ana tjetër, edhe vetë futbollisti ka refuzuar disa oferta të rëndësishme nga klube të tjera, duke theksuar se dëshiron të vazhdojë rrugëtimin e tij në Camp Nou.

Përkushtimi, mentaliteti dhe etika e punës e kanë shndërruar brazilianin në një nga të preferuarit e tifozëve të Blaugranës.
Ai dhe familja e tij tashmë janë adaptuar plotësisht në qytet, ndërsa pas një sezoni të shkëlqyer 2024/25, Raphinha synon të udhëheqë Barcelonën drejt trofeve të rinj.
Objektivi i tij personal i radhës: një paraqitje madhështore në Kupën e Botës 2026. /Telegrafi/



































