LAJMI I FUNDIT:

Bankat komerciale të sigurta nga kreditë e këqija

Bankat komerciale të sigurta nga kreditë e këqija

Niveli i kredive joperformuese në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, mbetet ende më i ulëti në rajon.

Raporti i kredive joperformuese ndaj gjithsej kredive të sektorit bankar në vend, vitin e kaluar është zvogëluar në 3.1 për qind nga 8.4 për qind sa ishte në vitin 2015, thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK). Vetëm vitin e kaluar, vlera e kredive të shlyera ka qenë 27.4 milionë euro.

Vlera e përgjithshme e kredive në 10 bankat komerciale që operojnë në tregun e Kosovës ka arritur në më shumë se 2.6 miliardë euro.

Vonesat e kthimit të këstit të kredisë nga huamarrësit te bankat, njihen si kredi të këqija apo joperformuese, të cilat klasifikohen në kategoritë e kredive të dyshimta ose humbje.

Procesi i shlyerjes së kredive joperformuese nga bilancet e bankave ka ndikuar në përmirësimin e kualitetit kreditor, por sipas raportit, edhe aktiviteti i përmbaruesve privatë ka mundësuar lehtësimin dhe përshpejtimin e procesit të kthimit të kredive.

Ekspertë për çështje financiare, ndërkaq, konsiderojnë se procedurat dhe kriteret e shumta për të marrë një kredi, si dhe zhvlerësimi i patundshmërisë së lënë hipotekë në institucionet financiare, janë faktorët kryesorë që niveli i kredive joperformuese vazhdon të mbetet i ulët.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se zhvlerësimi i patundshmërisë së lënë si hipotekë, ka bërë që bankat të jenë më të sigurta dhe të mos rrezikohen shumë nga kreditë joperformuese.

“Kjo është një ndër shkaqet e zhvlerësimit të hipotekës që vlera e kredive të këqija në Kosovë të jetë në nivelin më të ulët në krahasim me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për dallim nga Serbia, Shqipëria dhe shtetet tjera ku kjo vlerë është dyfish më e lartë, kurse në disa shtete edhe trefish më e lartë sesa në Kosovë”, thotë Bektashi.

Eksperti tjetër për çështje financiare, Flamur Keqa, thotë se niveli i ulët i kredive të këqija është tregues i stabilitetit financiar të bankave komerciale. Por, këtë nivel, thotë ai, bankat po e mbajnë me procedura të ashpra që praktikojnë për plotësimin e kushteve për marrjen e kredive.

“Pas krizës financiare globale që ka qenë në vitin 2008, bankat komerciale në Kosovë kanë ndërmarrë hapa që të jenë më strikte dhe rigoroze me rastin e dhënies së kredive duke kërkuar garanci shtesë nga ana e huamarrësve”, thotë Keqa për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht nivelit të ulët të kredive të këqija, sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërmarrjet janë më të ngarkuarat nga këto kredi, kurse, sipas aktivitetit ekonomik, sektori i bujqësisë vazhdon të ketë normën më të lartë të kredive të këqija me 8.2 për qind.

Flamur Keqa thotë se duke marrë parasysh se sektori privat është kredimarrësi më i madh, niveli i ulët i kredive të këqija megjithatë tregon se është përmirësuar edhe ambienti i të bërit biznes në tregun e Kosovës.

“Por, megjithatë po them se është e çuditshme, kur bizneset operojnë në një ambient ku për çdo ditë kanë ankesa, në anën tjetër kemi nivelin e kredive joperformuese të bankave, i cili është më i ulëti në rajon”, thekson Keqa.

Ndryshe, përderisa niveli i kredive joperformuese në Kosovë është 3.1 për qind, sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës,nga vendet e rajonit, Shqipëria ka nivelin më të lartë me mbi 13 për qind pasuar nga Serbia më rreth 10 për qind. /REL /Telegrafi/